Lidhje

Turqia thotë se ka identifikuar sulmuesin


Ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha të mërkurën se autoritetet kanë identifikuar personin e armatosur që vrau 39 njerëz në sulmin e Vitit të Ri në një klub nate të Stambollit.

Zoti Cavusoglu e bëri njoftimin gjatë një interviste me agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu, por nuk e dha emrin e personit të dyshuar.

Autoritetet kanë qënë në kërkim të tij qysh nga mëngjesi i së dielës, kur ai u largua nga klubi Reina.

Media turke transmetoi të martën video të një njeriu që ata thonë se është personi i dyshuar, duke ecur në sheshin Taksim të Stambollit. Është e paqartë se kur është regjistruar videoja. Autoritetet kishin publikuar më parë imazhin e turbullt të sulmuesit të marrë nga kamerat e sigurisë.

Agjencia Anadolu njoftoi gjithashtu të mërkurën se autoritetet kanë ndaluar pesë persona të tjerë në lidhje me sulmin. Të pestë dyshohet të jenë anëtarë të grupit Shteti Islamik dhe u morën në pyetje në qytetin e Izmirit.

Presidenti amerikan Barack Obama shpehu të martën ngushëllime përmes një telefonate me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Shtëpia e Bardhë tha se dy udhëheqësit ranë dakord se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar për të mposhtur terrorizmin. Zoti Obama vlerësoi gjithashtu përpjekjet e Turqisë për të punuar me aktorët rajonalë për të ndërmjetësuar një armëpushim mbarë-kombëtar në Siri dhe një kthim në negociatat politike mes regjimit sirian dhe opozitës.

Sulmi filloi të dielën në orët e para të mëngjesit kur personi i armatosur vrau një officer policie dhe një civil jashtë klubit të natës para se të hynte brënda. Në klub kishte rreth 600 njerëz, shumica të huaj. Përveç atyre që humbën jetën, rreth 70 vetë janë plagosur.

Në një deklaratë të hënën, Shteti Islamik tha se një nga “ushtarët e tij heronj” kreu sulmi dhe kishte në shënjestër Turqinë e cila po u bashkohet “vendeve të krishtera”. Grupi tha se klubi i natës u vu në shënjestër pasi ishte vendi ku “të krishterët hymnizonin apostujt e tyre”.

XS
SM
MD
LG