Lidhje

Ministri gjerman, thirrje për rishikimin e ligjeve të azilit


Gjermania duhet të rishikojë ligjet e azilit pasi ka pranuar një numër rekord emigrantësh. Këtë pohim e bëri Ministri i Zhvillimit Gerd Mueller i cili po merrte pjesë në një mbledhje të partisë së tij konservatore CSU. Sipas tij, rishikimi bëhet i nevojshëm në kushtet kur popullsia e kontinentit afrikan do të dyfishohet deri në vitin 2050 dhe në mungesë të një politike të njësuar për vendet e atij kontinenti.

Duke folur në fshatin e Seeonit në Bavari, zoti Mueller tha se në kushtet kur Gjermania ende nuk i konsideron Marokun, Tunizinë dhe Algjerinë si vende të sigurta origjine, teorikisht një ndër dy afrikanë ka të drejtë për strehim në Gjermani, nëse vendos të shkojë atje.

“Kjo nuk mund të jetë zgjidhja. Ne duhet të nxisim nisma dhe investime private në Afrikë dhe duhet të krijojmë tregëti të drejtë me këto vende”.

Në nëntor, zoti Mueller u bëri thirrje vendeve të tjera të zhvilluara që të mbështesin një plan që po finalizon Gjermania për të konsoliduar ekonomitë e Afrikës, për të hapur vende pune dhe për të ngadalësuar rrjedhën e imigrantëve nga ai kontinent në Evropë.

Në atë kohë, ministri gjerman tha se Gjermania do të nxirrte së shpejti detaje të një të ashtuquajturi “Plan Marshall për Afrikën”, duke bërë një paralelizëm me programin e suksesshëm të investimeve amerikane që e rigjallëroi ekonominë gjermane pas Luftës së Dytë Botërore.

Zoti Mueller komentoi gjithashtu lidhur me debatin për defektet e sigurisë pas sulmit në tregun e Krishtlindjes në Berlin në dhjetor. Sipas një shefi rajonal të policisë, tuniziani që vrau 12 vetë me kamion, kishte përdorur 14 identitete të ndryshme në Gjermani.

“Njësia e policisë së posaçme në Braunschweig zbuloi se qindra refugjatë regjistrohen me deri në 12 identitete të ndryshme tek agjencitë e ndihmës sociale për të përfituar financiarisht. Nëse bëjmë një përllogaritje për gjithë Gjermaninë, bëhet fjalë për dhjetra-mijëra raste. Është e papërballueshme dhe është e pafavorshme për gjithë ata refugjatë që jetojnë këtu më rrugë të ndershme”, tha zoti Mueller.

Ai kërkoi një hetim për të përcaktuar identitetet, përfshirë marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe kontrollet e sigurisë.

XS
SM
MD
LG