Lidhje

Kosova kërkon lirimin e Ramush Haradinajt


Kosovo, protests
Kosovo, protests

Në Prishtinë sot është parakaluar në shenjë proteste ndaj ndalimit të ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj nga autoritetet e Francës, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe. Zoti Haradinaj po mbahet në paraburgim në pritje të shqyrtimit të urdhër arrestit. Autoritetet në Kosovë thanë se po kërkojnë rrugë për të siguruar kthimin e zotit Haradinaj në shtëpi ndërsa i cilësuan urdhër arrestet serbe si veprime të motivuara politikisht dhe armiqësisht ndaj Kosovës.

Kosova kerkon lirimin e Haradinajt
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:43 0:00

“Këto qeveri tona kanë lejuar që Serbia të na poshtërojë në vazhdimësi, në raste të përsëritura. Këto poshtërime që po i bëhen Kosovës duhet të ndalohen. Ne sot do t’i thërrasim të gjithë botës, Republikës së Francës që ta kuptojnë Kosovës, që ta kuptojnë popullin e Kosovës që ta kuptojmë që edhe ne e dimë çka është drejtësia, që ta dinë se nuk besojmë që është drejtësi të mbahet Ramush Haradinaj për shkak të asaj që Serbia lëshon”, tha nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdon të mbahet në paraburgim në qytetin Colmar në Francën lindore, pasi që një gjykatë në Francë vendosi që ai të qëndrojë në paraburgim derisa Serbia të bëjë kërkesën zyrtare për ekstradim.

Ai u paraqit të enjten para një gjykate në qytetin Colmar të Francës lindore, një ditë pasi u ndalua nga policia franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe, të cilat e akuzojnë zotin Haradinaj për krime lufte.

Partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shpërndau një postim të zotit Haradinaj në Facebook në të cilin thuhet se “është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish regjimit të Millosheviçit, ndërsa plot shtete të tjera siç janë Gjermania, Austria e të tjerë, tashmë janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi dhe nuk i zbatojnë urdhër arrestimet e tyre”, thuhet në postimin e zotit Haradinaj.

Ai u ndalua të mërkurën nga policia franceze në aeroportin Basel-Mulhouse, në rajonin kufitar ndërmjet Francës, Zvicrës e Gjermanisë.

Autoritetet në Kosovë krahas kërkesave zyrtare për lirimin e zotit Haradinaj, janë duke shqyrtuar edhe rrugët tjera të zgjidhjes së situatës së krijuar rreth tij. Vendimi i gjykatës për mbajtjen në paraburgim lë të hapur edhe mundësinë e lirimit të tij me kusht nën garancitë shtetërore të Kosovës deri në përfundimin e procedurave sipas të cilave autoritete serbë kanë një fat deri në 40 ditë për të kompletuar dokumentacionin me kërkesën për dorëzimin e zotit Haradinaj”.

Autoritetet në Serbi thanë se do të kërkojnë dorëzimin e zotit Haradinaj, të cilin e akuzojnë për krime lufte në kohën kur ai ishte komandant i njërës nga zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftonte forcat serbe.

Ndalimi i tij nxiti reagimin e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, të cilat bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të premten në mbledhjen e qeverisë shprehu shqetësimin duke theksuar se Haradinaj është ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një fletë-arresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi.

“Aktet e ndalimit të Haradinajt, por dhe personaliteteve të tjera në Kosovë i konsiderojmë se janë akte të palejueshme, duke pasur parasysh edhe faktin se Haradianj e ka dëshmuar para drejtësisë ndërkombëtare në dy raste pafajësinë e tij dhe po ashtu është përballur edhe me ndalesa të tjera të përkohshme të cilat e kanë konfirmuar se fletarrestet serbe nuk kanë asnjë bazë”, tha kryeministri Mustafa.

Kjo nuk është hera e parë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Ramush Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën ndërkombëtare në Hagë.

XS
SM
MD
LG