Lidhje

Raporti: Putin urdhëroi një fushatë që synonte zgjedhjet në SHBA


Një raport i ri i deklasifikuar i komunitetit amerikan të zbulimit për piraterinë kompjuterike ruse, thotë se para zgjedhjeve të nëntorit në SHBA, një numër diplomatësh rusë ishin përgatitur për të vënë publikisht në dyshim vlefshmërinë e rezultateve.

Zyrtarët amerikanë të inteligjencës publikuan të premten versionin publik prej 25 faqesh të raportit, pasi e njohën presidentin e zgjedhur Trump dhe ligjvënës të lartë në Kongres me një version më të gjatë, të klasifikuar të tij.

Raporti thotë se në bazë të aktivitetit të mediave sociale të Moskës, blogerët pro-Kremlinit kishin përgatitur një fushatë në Twitter të quajtur #DemocracyRIP për natën e zgjedhjeve, sepse parashikonin që Hillary Clinton ta mundëte Donald Trumpin.

Në raportin e deklasifikuar thuhet se qeveria ruse kishte krijuar një preferencë të qartë për zotin Trump.

Sipas raportit, qëllimi i ndërhyrjes së Moskës ishte të minonte besimin e publikut në procesin demokratik amerikan, të denigronte kandidaten e Partisë Demokrate Hillary Clinton dhe të dëmtonte shanset e zgjedhjes së saj si presidente.

Në raport thuhet se në vitin 2016 Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi fillimin e një fushate ndikimi që kishte në shënjestër zgjedhjet presidenciale amerikane.

Raporti thotë se përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale pasqyrojnë shprehjen më të fundit të dëshirës së vjetër të Moskës për të minuar sistemin liberal demokratik të udhëhequr nga SHBA.

Aty thuhet se qëllimi i aktiviteteve të Rusisë ishte dukshëm më intensiv në krahasim me operacionet e mëparshme.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG