Lidhje

Serbi-Kosovë, incidenti me trenin provokon luftë fjalësh


Presidenti i Serbisë tha se vendi është i gatshëm të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur shtetasit serbë, nëse kjo është e nevojshme.

Komentet e bëra prej tij të dielën vijnë pas një lufte fjalësh mes zyrtarëve të Kosovës dhe të Serbisë, kur një tren me mbishkrimet "Kosova është Serbi", u ndalua të shtunën të hynte në Kosovë.

Presidenti serb Tomislav Nikoliç tha se dy vendet ishin në prag të një konflikti, ndërsa kryeministri i Kosovës u tha gazetarëve se treni "dërgonte një mesazh pushtimi."

"U kam kërkuar atyre (policisë dhe ministrisë së brendshme) të ndalojnë menjëherë dhe me çdo çmim trenin të hyjë në Kosovë," i tha Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi Gazetës Express.

Por Presidenti Nikoliç tha se Kosova tregoi se donte luftë, pasi kishte dislokuar forcat speciale për të mos lejuar trenin e pikturuar me ngjyrat kombëtare të Serbisë të hynte në territorin e saj.

Sipas njoftimeve, zyrtarët serbë akuzuan autoritetet e Kosovës se ishin përpjekur të minonin hekurudhën me bomba.

Zyrtarët e Kosovës i dënuan me forcë akuzat, duke thënë se nuk kishin gjetur eksplozivë në hekurudhë.

Udhëtimi trenit të shtunën ishte i pari nga Beogradi për në Mitrovicës, që nga lufta e viteve 1998-1999. Sipas njoftimeve, treni u kthye më vonë në Beograd.

Institucionet e Kosovës nuk i kontrollojnë hekurudhat në veri

Nisja e trenit, sipas autoriteteve të Beogradit, ishte një sprovë me synimin për vendosjen e linjës së rregullt Beograd - Mitrovicë.

Treni sipas autoriteteve serbe u ndalua në Rashkë një komunë në Serbinë jugperëndimore.

Të shtunën në orët e mbrëmjes kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se për në Mitrovicë ishte nisur një tren dhe jo një tank.

"Vendimi im ishte, dhe krenohem me të, që ta ndaloj trenin në Rashkë me qëllim të ruajtjes së lirisë së njerëzve tanë dhe të ruaj paqen e të shmang konfliktet”, tha kryeministri serb pas një takimi emergjent me shërbimet serbe të sigurimit.

Ai akuzoi Prishtinën për provokim ndërsa theksoi se është ankuar tek shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini dhe se do të njoftojë Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara për siç tha, faktin se Prishtina po luan "lojëra lufte".

“U bëj thirrje serbëve që të ruajnë qetësinë dhe vërejtja ime e fundit për shqiptarët dhe edhe lutja për ta në Kosovë është që të mos tentojnë t’i sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë".

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha në orët e mbrëmjes së të shtunës se ndalimi i hyrjes së trenit ishte vendimi i duhur.

“Unë mendoj se kthimi prapa i këtij treni është veprim i duhur dhe hyrja e trenit në territorin e Republikës së pavarur të Kosovës nuk do të lejohej ose nëse rast se do të hynte, do të përballej në përputhje me ligjet e Kosovës. Jemi të përkushtuar që të mundësojmë lëvizjen e lirë, por nuk do të lejojmë provokime të tilla. Me këtë rast, më lejoni të theksoj vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe kryeparlamentarin, të angazhohemi për të mbrojtur sovranitetin e vendit”, tha kryeministri Mustafa në një konferencë me gazetarë.

“Nuk do të lejojmë provokime të tilla që kanë për qëllim kthimin e Kosovës dhe rajonit në vite të errëta dhe me pasoja të paparashikueshme", tha mes tjerash ai duke nënvizuar se për të gjitha veprimet e sotme institucionet e Kosovës janë këshilluar edhe me misionet diplomatike në Kosovë.

Më herët gjatë ditës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se autoritetet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të trenit.

“Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme. Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, shprehu të shtunën shqetësimin lidhur me zhvillimet rreth trenit.

“I brengosur për çështjen e trenit. Bëj thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët. Kemi nevojë për normalizim, e jo për konfrontim”, ka shkruar ambasadori Delawie në rrjetin social Twitter.

Si Kosova edhe Serbia kërkojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian për të nxitur ekonomitë e tyre në vështirësi.

Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, një dekadë pasi u nda nga Serbia. Kosova është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 110 vende, por jo nga Serbia.

XS
SM
MD
LG