Lidhje

Basha: Jo bojkot të zgjedhjeve nga opozita


Lulzim Basha, kryetar i PD
Lulzim Basha, kryetar i PD

Në Shqipëri kryetari i Partisë Demokratike hodhi poshtë zërat e shpërndara sipas tij nga propaganda qeveritare se opozita do të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit: “Qeveria me mjetet e saj të propagandës janë lëshuar me klishetë ‘merr pjesë apo nuk merr pjesë’ Partia Demokartike në zgjedhje. PD do të marrë pjesë në zgjedhje. Dhe zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Nuk ka asnjë skenar tjetër”.

Këto komente zoti Basha i bëri gjatë një takimi me drejtuesit e degëve të partisë së tij, një ditë pasi 23 parti opozitare nënshkruan një memorandum duke përcaktuar 5 kushte realizimi i së cilave sipas tyre do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme. Kushti kryesor i opozitës është ai i votimit dhe numërimit elektronik. Shumica nga ana e saj ka deklaruar se koha është e pamjaftueshme duke kërkuar që sidoqoftë, për këtë, të merret një opinion i OSBE/ODIHIR-it.

Sot në një intervistë për televizionin Vizion Plus, ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt shpjegoi se votimi elektronik “është një proces shumë kompleks që kërkon një planifikim të imtësishëm dhe në kohën e duhur të mënyrës se si do të blihen pajisjet, se si do të vlerësohet, çertifikohet dhe garantohet siguria e sistemit. Nevojiten fushata intensive për edukimin e zgjedhësve dhe duhet të trajnohen edhe zyrtarët zgjedhorë”, deklaroi ambasadori Borchardt, duke kujtuar se “që prej tetorit 2016 OSBE-ja ka këshilluar – në të njëjtën linjë me këshillat mëhershme – se votimi elektronik kërkon më shumë kohë sesa koha e mbetur dhe, pa atë kohë, OSBE-ja nuk mund të këshillojë të bëhet një gjë e tillë”.

Ambasadori i OSBE-së u shpreh i keqardhur që “procesi është zvarritur për një kohë të konsiderueshme, pa arritur ndonjë rezultat konkret. Mbetet shumë pak kohë, për të mos thënë fare, për një reformë kuptimplotë dhe të hollësishme zgjedhore, që do të ishte në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare. Ndryshimet që mund t’i bëhen legjislacionit në minutë të fundit mund të dëmtojnë besimin e publikut te procesi”, theksoi ai.

Sipas ambasdorit Borchardt “pavarësisht kohës së shkurtër në dispozicion, Komisioni i Posaçëm mund të trajtojë me sukses të paktën katër fusha. E para është rritja e transparencës dhe bërjes publike të financimit të fushatave. Kjo është një çështje thelbësore. E dyta është forcimi i sanksioneve ligjore për kriteret gjinore të listave të kandidatëve të partive politike. E treta është forcimi i sanksioneve për shkeljen e ligjit, si për shembull për blerjen e votave apo për fotografimin e fletëve të votimit në dhomën e fshehtë të votimit. Fusha e katërt është nevoja për përmirësimin thelbësor të dispozitave për mbulimin mediatik të fushatave zgjedhore. Njerëzit që shohin kronikat në televizion kanë të drejtën ta dinë nëse një kronikë është përgatitur nga një gazetar i pavarur apo nëse po shohin një produkt partiak, që është, sigurisht, i njëanshëm”, nënvizoi ai.

XS
SM
MD
LG