Lidhje

Grupi për etikën depoziton padi ndaj Presidentit Trump


Presidenti Donald Trump ka vetëm disa ditë që ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë, por një grup për etikën e hodhi në gjyq presidentin, për siç thonë ata, shkelje të një klauzole jo fort të njohur të kushtetutës amerikane.

Trump e hodhi poshtë menjëherë këtë veprim.

Grupi “Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë”, që njihet shkurt me emrin CREW dhe i ka zyrat në kryeqytetin amerikan, e depozitoi të hënën padinë në një gjykatë federale në Manhatan të Nju Jorkut.

Klauzola për shpërblimet i ndalon fuqitë e huaja, përfshi qeveritë, që të ofrojnë pagesa apo dhurata për presidentin pa miratimin e Kongresit.

Sipas gazetës “The New York Times”, e cila njoftoi e para për këtë çështje të dielën, padia nuk kërkon ndonjë shpërblim monetar, por po i kërkon gjykatës që të ndalojë presidentin që të marrë pagesa nga subjektet e huaja.

Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë, apo CREW, thotë se zoti Trump ka refuzuar të heqë dorë tërësisht nga bizneset e tij.

“Ai tani po merr para në dorë dhe favore nga qeveritë e huaja përmes të ftuarve dhe evenimeteve në hotelet e tij, qirave në ndërtesat e tij dhe marrëveshjeve të rëndësishme imobilare jashtë vendit”, thotë CREW.

Sherri Dillon, një prej avokateve të zotit Trump, tha në fillim të janarit se, “Askush nuk do të kishte menduar kur u hartua Kushtetuta se pagesa e faturës së hotelit do të konsiderohej pagë.”

Drejtori ekzekutiv i CREW, Noah Bookbinder tha përmes një deklerate se, “..nuk deshëm të arrinim në këtë pikë. Patëm shpresuar se Presidenti Trump do të ndërmerrte hapat e nevojshëm për të shmangur shkeljen e Kushtetutës para se të merrte detyrën.”

Eric Trump tha për gazetën “The New York Times” se padia në fjalë ishte “ngacmim për përfitime politike” dhe e karakterizoi atë si “veprim për të ardhur keq”.

Presidenti Trump tha kohët e fundit se po krijonte në trust ku dy djemt e tij, Donald Trump Jr. dhe Eric së bashku me një prej drejtuesve të lartë të Organizatës Trump, do të drejtonin interesat e biznesit të tij global.

Plani nuk përmbushi kërkesat që ai të shiste të gjitha interesat ekonomike dhe vënien e pasurisë së tij në një trust sekret ku ai nuk mund të kishte dijeni mbi investimet.

Analistët për etikën thonë se nëse Trump nuk i vë pasuritë e tij në një trust sekret, kjo do të shkaktonte pikëpytje të njëpasnjëshme nëse veprimet e tij si president do të sillnin përfitime për interesat e tij financiare.

CREW thotë se kur Presidenti Trump të negociojë marrëveshje tregtare me shtete të ndryshme, “populli amerikan nuk do të ketë se si ta dijë nëse ai do të jetë duke menduar për përfitimet e Trumpit biznesmen.”

Presidenti Trump ka sloganin ‘Amerika së Pari’, tha zoti Bookbinder. “Kjo të bën të mendosh se ai do të zbatojë në mënyrë rigoroze klauzolën e Kushtetutës për shpërblimet e huaja, pasi ajo është shkruar për të siguruar që zyrtarët e qeverisë kanë në mendje interesat e amerikanëve dhe jo të qeverive të huaja.”

Norm Eisen, jurist për etikën në ish administratën e Presidentit Obama, është anëtar i ekipit ligjor të grupit CREW. Ai tha për gazetën ‘The Times’ se padia është një mënyrë për të bërë publike taksat federale të zotit Trump dhe për të vlerësuar siç duhet marrëveshjet tregtare të presidentit dhe për të parë se sa u detyrohet qeverive të huaja si Kina apo Rusia.

XS
SM
MD
LG