Lidhje

Forca rajonale hyjnë në Gambia për të rikthyer presidentin


Njësitë ushtarake nga i gjithë rajoni hynë dje në kryeqytetin e Gambias, Banjul, ku u mirëpritën nga turma njerëzish, vetëm pak orë pasi udhëheqësi i mundur në zgjedhje, Yahya Jammeh, u largua nga vendi. Ai kishte marrë pushtetin me puç ushtarak në vitin 1994 dhe refuzon të njohë rezultatin e zgjedhjeve të zhvilluara në dhjetor.

Forca ushtarake rajonale pritet të përgatisë terrenin për kthimin në vend të presidentit të sapozgjedhur Adama Barrow, i cili u strehua në vendin fqinj Senegal, kur zoti Jammeh refuzoi të linte detyrën.

“Është mjaft e rëndësishme të sigurohet paqja dhe stabiliteti i vendit. Ngërçi politik dhe i sigurisë që na u imponua pas fitores në zgjedhjet e dhjetorit vazhdon të jetë një sfidë e jashtëzakonshme,” tha Mai Ahmad Fatty, këshilltar i Presidentit të ri Barrow.

Zoti Fatty tha gjithashtu se presidenti Jammeh zbrazi llogaritë bankare të qeverisë gjatë ditëve të fundit të qeverisjes së tij.

“Vetëm brenda dy javëve, mbi 11 milionë dollarë u tërhoqën nga ish-presidenti dhe qeveria e tij. Këto janë shumë, nëse kemi parasysh se ne paguajmë vetëm rreth 4.5 milionë dollarë për shërbimin civil,” njoftoi ai.

Zoti Barrow konfirmoi dje se do të krijojë një komision që do të hedhë dritë mbi abuzimet me të drejtat e njeriut të regjimit Jammeh, i cili mori pushtetin me puç ushtarak në vitin 1994.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se ka patur arrestime arbitrare, tortura dhe vrasje të kundërshtarëve politikë.

Deri mbrëmë, zoti Jammeh njoftohet se gjendej në Guinenë Ekuatoriale, e cila nuk është anëtare e grupit të vendeve që organizuan ndërhyrjen.

XS
SM
MD
LG