Lidhje

Indeksi i korrupsionit, Shqipëria e Kosova përmirësim


Transparency International

Indeksi i perceptimit të korrupsionit për vitin 2016 i publikuar sot nga Trasparency International, tregon se në vendet e Ballkanit fenomeni i korrupsionit është gjerësisht i përhapur. Krahasuar me raportin e një viti më parë, vetëm Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përmirësim në renditjen e përgjithshme ndërsa të gjithë vendet e tjera kanë pësuar rënie.

Shqipëria është vlerësuar me 39 pikë nga 36 që mbante vitin e shkuar, duke fituar 5 vende në renditje. Ajo është e 83-ta mes 176 vende, ndërkohë që një vit më parë ishte e 88-ta.

Edhe Kosova është vlerësuar me 3 pikë më shumë se vitin e kaluar duke u ngjitur në 39 pikë, e duke fituar 8 vende në renditje. Sipas Trasparency International, në indeksin e këtij viti Kosova është në vendin 95 nga vendi i 105-të që mbante në raportin e mëparshëm. Megjithatë Kosova mbetet sërish vendi me perceptimin me të lartë të korrupsionit në rajon.

Rënien më të madhe në Ballkanin Perëndimor e ka patur Maqedonia. Ajo ka humbur 5 pikë në vlerësim dhe 24 pozicione në renditje, nga vendi i 66-të në të 90-in, duke lënë pas vetëm Kosovën.

Në përkeqësim rezulton dhe Bosnja. Ajo ka marrë një pikë më shumë në vlerësim, por ka humbur 7 pozicione në renditje, duke ndarë vendin e 83-të me Shqipërinë.

Tre pozicione në renditjen e përgjithshme ka humbur edhe Mali i zi, i cili ndodhet në vendin e 64, duke qenë shteti me nivelin më të ulët të perceptimit të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.

Serbia nga ana e saj, ndonëse është vlerësuar me dy pikë më shumë, ka humbur një vend në indeksin e perceptimit të korrupsionit për 2016 duke u renditur e 72-ta.

Duke ju referuar raporteve të saj të fundit, Trasparency international vlerëson se dobësitë në institucionet e ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor, janë pasojë e kapjes së sistemit, ku politikanët ushtrojnë një ndikim mjaft të madh në të gjithë sektorët e jetës publike e duke qenë të lidhur me njerëz të pasur të botës së biznesit apo dhe me rrjetet e krimit të organizuar.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG