Lidhje

Shqipëri, pandëshkueshmëria mjaft e përhapur

  • Armand Mero

Një sondazh i publikuar sot në Tiranë tregon se korrupsioni vlerësohet si shkaku kryesor i fenomenit të pandëshkueshmërisë, për të cilën shumica dërrmuese e qytetarëve shprehet se është shumë i përhapur. Ndërkohë mbetet negativ vlerësimi për punën e gjyqësorit, ku në shumicë gjyqtarët konsiderohen se nuk janë të paanshëm. Lidhur me Reformën në Drejtësi vetëm 42 përqind shprehen optimist për zbatimin e saj.

Qytetarët besojnë se ligji nuk vepron në mënyrë të barabartë si për njerëzit e thjeshtë ashtu dhe për zyrtarët e lartë, dhe se për të njejtën shkelje një funksionar publik nuk do të ndëshkohej njësoj.

Sondazhi i publikuar sot nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) tregon se sipas qytetarëve pandëshkueshmëria mbetet e lartë në vend. “Fenomeni i pandëshkueshmërisë ose është shumë i përhapur, pra 70 përqind, ose 26 përqind, deri diku i përhapur. Ky është një tregues i pastër i faktit se njerëzit janë unanim përsa i përket fenomeni të pandëshkueshmërisë. Të gjithë mendojnë se është një fenomen mjaft i përhapur”, theksoi Ivi Rexhepi, analist i IDRA-s

Në shumicë dërrmuese qytetarët vlerësojnë se korrupsioni është faktori parësor që ushqen pandëshkueshmërinë. “Në 96 përqind të rasteve korrupsioni është faktori kryesor që nxit përhapjen e fenomenit të pandëshkueshmërisë në vend, ndjekur shumë ngushtësisht nga faktorë si moszbatimi i ligjeve e rregullave si dhe mosfunksionimi I sistemit të Drejtësisë”, u shpreh zoti Rexhepi.

Nuk përbën surprizë vlerësimi negativ për sistemin gjyqësor për të cilin më shumë se 1 ndër të anketuarit e vlerësojnë se “punon keq apo shumë keq”, ndërkohë që “87 përqind janë të mendimit se gjyqtarët në Shqipëri nuk janë të paanshëm”. Edhe Prokuroria nuk gëzon ndonjë besim të theksuar. “40 përqind e të anketuarve e vlerësojnë negativisht” aktivitetin e saj ndërkohë që 35 përqind janë neutralë.

Mosbesimi i thellë te sistemi duket se e bën të vështrë që qytetarët të besojnë se Reforma në Drejtësi do të mund të sjellë përmbysje. Sipas sondazhit, ata shfaqen të dyzuar. “Ndërsa 42 përqind janë optimist për zbatimin e saj, pothuaj po kaq deklarojnë se ajo nuk do të zbatohet”. E po ashtu dy të tretat e të anketuarve nuk kanë shpresa se procesi I rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të sjellë pastrimin e sistemit.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG