Lidhje

SHBA u refuzon vizat disa gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë

  • Armand Mero

Ambasada amerikane

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, njoftoi sot se “ka revokuar vizat jo-emigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë pasi ka dalë në përfundimin që këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza”.

Ambasada shpjegon se “e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”.

Ambasada saktëson se “për shkak se të dhënat e vizave janë konfindenciale sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, ne nuk mund të komentojmë mbi raste individuale”, por shprehet se ajo “i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë t’i shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar”. Ambasada shpjegon më tej se “Departamenti i Shtetit ka një autoritet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se zotëruesi i vizës mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet kundër korrupsionit në Shqipëri”.

Kjo është hera e dytë që ambasada amerikane ndëmerr një veprim të tillë ndaj zyrtarëve shqiptarë të Drejtësisë. Marsin e kaluar ambasadori Donald Lu njoftoi se u ishte ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara disa gjyqtarëve të korruptuar dhe se ky ishte vetëm fillimi.

Ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të korruptuar, ambasadori amerikan e kishte paralajmëruar që në 2015. Në një intervistë për Zërin e Amerikës në muajin qershor kishte shpjeguar se “Shpallja Presidenciale Nr. 7750, i jep Sekretarit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri”, kishte deklaruar ambasadori.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG