Lidhje

Drejtues kryesorë në DASH japin dorëheqjen


Pesë diplomatë amerikanë që përbëjnë pjesën kryesore të ekipit të lartë drejtues në Departamentin amerikan të Shtetit dhanë papritur dorëheqjen, vetëm disa ditë para se kandidati i presidentit Donald Trump për postin e Sekretarit të Shtetit të marrë konfirmimin në Senat.

Burimet diplomatike i thanë Zërit të Amerikës se Nënsekretari për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Thomas Countryman ishte në avion duke udhëtuar drejt Evropës për një takim të nivelit të lartë, kur ishte urdhëruar të kthehej, por Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentonte mbi këtë informacion.

"Kjo nuk është procedurë normale. Kjo nuk është rastësi," i tha Zërit të Amerikës Bruce Jentleson, ish-këshilltar i lartë i drejtorit të planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit, tani profesor i shkencave politike në Universitetin Duke. "Nëse nuk ka qenë i koordinuar, veprimi bëhet akoma më kuptimplotë," tha ai.

Megjithatë, diplomatë të karrierës në Departamentin e Shtetit kritikuan njoftimet e shtypit që fajësonin administratën e re për "dorëheqje ose shkarkime" masive nga puna.

"Këtu mungon plotësisht konteksti", tha ambasadore Barbara Stephenson, presidente e Sindikatës së Punonjësve në Departamentin Amerikan të Shtetit.

"Rotacionet në pozita të reja dhe daljet në pension pas një numri të caktuar vitesh shërbimi janë pjesë e ADN-së së këtij grupi punonjësish të Departamentit të Shtetit," i tha ajo Zërit të Amerikës. "Është normale që ndryshimi i administratës të sjellë ndryshim të personelit."

Dy zyrtarët më të lartë që largohen janë Nënsekretari i Shtetit për Menaxhimin, Patrick Kennedy dhe Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Viktoria Nuland. Nga postet po largohen edhe Ndihmës Sekretarja për Administrimin, Joyce Barr dhe Ndihmës Sekretarja për Çështjet Konsullore, Michele Bond së bashku me Drejtorin e Zyrës për Misionet e Huaja, ambasadorin Gentry Smith.

Zëdhënësi Departamentit të Shtetit, Mark Toner konfirmoi largimin e zyrtarëve dhe tha se këto poste janë emërime politike nga presidenti, që duhet të marrin konfirmimin e senatit.

"Nga zyrtarët, dorëheqjet e të cilëve janë pranuar, disa do të vazhdojnë punën në poste të tjera dhe të tjerë do të dalin në pension", tha zëdhënësi Toner. "Asnjë zyrtar nuk pranon një emërim politik me shpresën se mandati do të jetë pakufizuar."

Presidenti i firmës Global Strategic Room, Brett Bruen i tha Zërit të Amerikës se "Gjithmonë ka zëvendësime të personelit. Zakonisht këto lëvizje nuk janë aq të papritura dhe nuk lënë një boshëllëk të madh në ekipin e menaxhimit të departamentit." Bruen është diplomat dhe ish-drejtor i angazhimit global në Shtëpinë e Bardhë.

Asnjë nga zyrtarët e dorëhequr e as Departamenti i Shtetit nuk i kanë lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë largimet me administratën e Presidentit Trump.

Lajmet për largimin e diplomatëve vijnë pas një vizite që bëri të martën në Departamentin e Shtetit i emëruari i Presidentit Trump për Sekretar Shteti, Rex Tillerson.

Patrick Kennedy, i cili ka punuar 44 vjet në Departamentin e Shtetit, do dalë në pension. Largimi i tij pritej të ndodhte pas fitores së papritur të zotit Donald Trump. Kennedy ishte përfshirë në një debat rreth serverit privat të emailave të ish-Sekretares së Shtetit Hillari Klinton, të cilën zoti Trump e mundi në zgjedhjet e presidenciale.

Ka patur njoftime se Kennedy mund t’i ketë bërë presion FBI-së të bëjë publik një e-mail, përmbajta e të cilit ishte klasifikuar si sekrete, në këmbim të lejimit të stacionimit jashtë vendit të më shumë agjentëve të FBI-së. Departamenti i Shtetit ka mohuar të ketë patur një reciprocitet të tillë me FBI-në.

Kennedy u emërua në postin e tij nga ish-presidenti George W. Bush. Ai e mbajti postin edhe në tetë vitet e presidentit Barack Obama.

"Duke pasur parasysh njerëzit e talentuar që kemi në trupin tonë diplomatik, nuk presim që sekretari i ri të ketë vështirësi në gjetjen e personave të duhur për të zëvendësuar zyrtarët e larguar", thuhet në një deklaratë të Sindikatës së Punonjësve të Departamentit të Shtetit.

XS
SM
MD
LG