Lidhje

‘Balili’, presidenti thërret Këshillin e Sigurisë


Në Shqipëri, presidenti Bujar Nishani njoftoi sot se ka vendosur të mbledhë në ditët e ardhshme Këshillin Kombëtar të Sigurisë për të diskutuar mbi mosarrestimin e Klement Balilit, një personazh i akuzuar nga Drejtësia greke si drejtuesi i një organizate të fuqishme të narkotrafik e cila vepronte në disa vende të Europës. Vendimi i presidentit Nishani erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së bërë pak ditë më parë nga kryetari i Parlamentit Ilir Meta sipas të cilit “partnerët tanë të SHBA, por edhe të tjerë ndërkombëtare, kanë përcjellë shqetësime dhe rezerva për mosndalimin e tij si dhe moskryerjen e veprimeve të shpejta dhe efikase, nga organet kompetente shqiptare, sipas përcaktimeve të akteve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi”.

Emri i Balilit doli gjatë një hetimi i cili u finalizua në fillim të muajit maj, vitin e kaluar, me një operacion të ndërmarrë nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ku u sekuestruan mbi 670 kilogram marijuhanë në ishullin Zakintos në Greqinë lindore. Në këtë operacion u përfshi dhe policia shqiptare si dhe autoritetet e disa vendeve të Bashkimit europian, ku dyshohet të ketë shtrirë rrjetin e trafikut organizata, një prej krerëve të së cilës dyshohet të jetë Klement Balili, I përkufizuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”. Një numër i madh anëtarësh dhe drejtuesish të organizatës u arrestuan në Greqi dhe në disa vende të tjera europiane, ndërkohë që Balili vetë mundi të shpëtojë.

Fillimisht ai u shfaq publikisht në Sarandë, duke mohuar akuzat, ndërsa më pas u zhduk pa lënë gjurmë. Mes institucioneve shqiptare pati një ping pong të gjatë të hedhjes së përgjegjësisë, me policinë e cila deklaroi se kishte kërkuar urdhër arresti nga prokuroria, ndërkohë që kjo e fundit, kishte shpjeguar se nuk mund të vepronte përsa kohë nga hetimi nuk kishin dalë prova për veprimtari të paligjshme në Shqipëri, e se për këtë arsye ishin kërkuar materiale nga pala greke. Dosja për Balilin nga Greqia mbërriti në fund të vitit të shkuar, dhe policia organizoi gjatë muajit dhjetor disa operacione për kapjen e tij, të cilat rezultuan të pasuksesshme.

Që në momentet e para, rasti Balili u vesh me dyshime të forta. Mediat greke CNN grek në atë kohë hyri në polemika me ambasadën shqiptare në Athinë pasi botoi një shkrim në të cilin duke iu referuar burimeve të autoriteteve greke, theksonte se oficerë të policisë shqiptare u kishin deklaruar partnerëve greke gjatë një takimi sekret në Shqipëri se “baronin shqiptar” nuk mund ta arrestonin për shkak se ai kishte mbrojtje politike ne Tiranë. Balili ishte drejtor i Drejtorisë rajonale të Transportit në Sarandë, I emëruar në 2014. Njëri nga nipat e Balilit u zgjodh kryetar i Bashkisë së Delvinës, në jug të vendit, në zgjedhjet e fundit vendore, nën siglën e LSI-së, ndërsa një vëlla i tij ka qenë gjithashtu koordinar i LSI-së po në Jug të vendit. Vëllezërit Balili kanë aktivitete të shumta tregtare që nga transporti te ato të sigurisë së objekteve, apo peshkimit. Ndërsa në 2015 inauguruan një investim mjaft të shtrenjtë duke kthyer ish Kampin e punëtorëve në Sarandë në një hotel luksoz. Në ceremoninë e organizuar në muajin gusht, morën pjesë dhe zyrtarë të lartë, kryetari i Parlamentit Ilir Meta, ministri i atëhershëm i Ekonomisë dhe Turizmit, Arben Ahmetaj si dhe deputeti socialist i zonës Koço Kokëdhima.

Opozita shqiptare ka akuzuar Ministrinë e Brendshme se kishte marrë në mbrojtje Balilin, pasi ajo do të duhej të kishte vepruar që në momentin që ndaj tij u lëshua po në maj, urdhëri i arrestit ndërkombëtar. Kjo ide gjeti indirekt dhe mbështetjen e Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, përfaqësues po i LSI-së. Edhe në kërkesën e tij drejtuar Presidentit Nishani, kryetari i Parlamentit Meta, njëkohësisht dhe udhëheqësi i LSI-së, shprehet se mbledhja e Këshillit të Sigurisë duhet të thirret “me qëllim analizimin e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla. Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështje, do të dëshmojë seriozitetin e institucioneve dhe organeve të shtetit shqiptar për adresimin e përgjegjësive konkrete si dhe angazhimin që ato kanë në trajtimin e rasteve të tilla, me impakt në sigurinë kombëtare”, shkruan zoti Meta.

Në njoftimin e saj, Presidenca thekson se kërkesa e zotit Meta “vlerësohet serioze, pasi ajo paraqitet nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe për shkak të problematikave që parashtrohen” duke renditur edhe “rrezikun që egziston, tashmë, nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo dhe bazave të tyre që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit”.

Një artikull të botuar në shtypin shqiptar nga zëvendës ministri i Drejtësisë Arben Isaraj, e konsideron “antikushtetuese” si kërkesën e zotit Meta ashtu dhe thirrjen e mbledhjes së Këshillit të sigurisë kombëtare nga ana e presidentit Nishani.

Për vendimin e presidentit reagoi sot dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. “Këto ditë po çuditet publiku me thirrjen nga ana e Presidentit të Republikës, të Këshillit të Sigurisë për Balilin. E në fakt çuditet publiku sepse Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as per Lazaratin.Po çuditet publiku pasi Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as kur Lazarati ishte aty”, është shprehur ministri duke shtuar se “megjithatë unë jam shumë i kënaqur të informoj Këshillin e Sigurisë dhe pa asnjë diskutim edhe Presidentin e Republikës, i cili për arsyet e veta është i pa informuar. Por jam akoma më i bindur që asnjë pengesë, asnjë insinuatë, politike ose jo nuk do më ndalonte kurrë mua dhe aq më pak policinë e Shtetit të bënte detyrën ndaj atyre që deri dje ishin të pandëshkueshëm dhe atyre që deri dje ishin të pabarabartë dhe që nuk i prekte njeri”.

XS
SM
MD
LG