Lidhje

Merkel, Hollande bëjnë thirrje për unitet


Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande bën thirrje sot në Berlin për nevojën e unitetit përballë shtimit të kërcënimeve nga brenda dhe jashtë Evropës. Dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe rritja e populizmit në Evropë, thane udhëheqësit, kërkon një qëndrim dhe punë të përbashkët drejt zgjidhjes së problemeve.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande theksuan sot nevojën për unitet në Evropë përballë shtimit të kërcënimeve të brendëshme dhe të jashtëme, përfshi edhe rritjen e lëvizjeve populiste në Evropë dhe kërcënimeve të Amerikës për heqjen dorë nga tregtia e lirë.

“Evropa përballet me sfida të mëdha të brendëshme dhe të jashtme të cilat mund t’i përballojmë vetëm duke punuar sëbashku”, tha kancelarja gjermane gjatë një konference shtypi sot me homologun francez në Berlin.

“Kemi nevojë për angazhim të përbashkët dhe të qartë ndaj Bashkimit Evropian, për ato që kemi arritur dhe për vlerat liberal-demokratike të vendeve tona”, shtoi kancelarja gjermane.

Presidenti francez Hollande tha se rritja e populizmit në kontinent ishte një kërcënim i madh ndaj Bashkimit Evropian.

“Që të jemi të sinqertë, kërcënimet ndaj Evropës nuk vijnë vetëm nga jashtë por edhe nga brenda. Kjo nënkupton shtimin e ekstremizmit që përdor faktorët e jashtëm për të shkaktuar përçarje brenda vendit”, tha presidenti francez.

Kancelarja gjermane tha se terrorizmi islamik ka prekur si vendin e saj po ashtu edhe Francën.

“Dy vendet tona janë prekur nga terrorizmi dhe vetëm të bashkuar mund ta mundim. Në luftën për mposhtjen e terrorizmit, duam ta bëjmë të qartë se ne nuk do ta lëmë atë të ndikojë në stilin e jetës tonë.”

Pas dekleratave për shtypin, dy udhëheqësit shkuan për të bërë nderimet e tyre në vendin ku ndodhi sulmi i Krishtlindjeve në një treg në Berlin.

XS
SM
MD
LG