Lidhje

E djathta ekstreme dhe ndalimi i udhëtimeve


Urdhri i ri ekzekutiv për ndalimin e përkohshëm të imigrantëve dhe refugjatëve në Shtetet e Bashkuara, ka shkaktuar reagime të ndryshme në Evropë – ai është kritikuar nga shumë udhëheqës tradicionalë, por është përshëndetur nga partitë e ekstremit të djathtë që po shohin ngritje në anketat e opinionit përpara zgjedhjeve të rëndësishme në Gjermani, Hollandë dhe Francë.

Kandidatja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen, është ngjitur në anketa para zgjedhjeve presidenciale të prillit pas premtimeve për të mbyllur kufijtë e vendit dhe për të kufizuar në mënyrë drastike imigracionin.

Ajo është një mbështetëse entuziaste e presidentit Donald Trump. Ndoshta jo çuditërisht, një anëtar i lartë i partisë së saj Fronti Kombëtar, reagoi në Tweeter duke thënë se ndalimi i udhëtimeve ndoshta është një ide e mirë për Francën.

Menaxheri i fushatës së zonjës Le Pen, David Rachline, u shpreh më me diplomaci të mërkurën. Ai i tha radios franceze se një ndalim i ngjashëm për vende të veçanta myslimane është i mundur, por se ky nuk ishte prioritet i partisë Fronti Kombëtar.

Në Holandën fqinje, që përballet me zgjedhje në mars, kandidati i ekstremit të djathtë, Geert Wilders e uroi zotin Trump për urdhërin e tij ekzekutiv.

Partitë popullore në Gjermani dhe Itali gjithashtu përkrahën urdhërin ekzekutiv për ndalimin e përkohshëm të udhëtimeve.

Uashingtoni thotë se ndalimi i përkohshëm që ka si objektiv shtatë vende, synon t’u japë zyrtarëve amerikanë më shumë kohë për të vendosur procedura më të forta kontrolli kundër terroristëve të mundshëm.

Ndërsa disa vende të Evropës lindore janë të shqetësuara rreth imigrantëve myslimanë – megjithëse disa kanë shumë pak – ekspertët thonë se Evropa perendimore përballet me shqetësime të tjera të sigurisë.

Ian Bond është drejtor për politikën e jashtme në Qendrën për Reformën Evropiane me seli në Londër.

“Shpesh problemi që shohim është i fëmijëve të gjeneratës së dytë të imigrantëve, të cilët nuk e ndjejnë se i përkasin vendit ku jetojnë.”

Ishin evropianë të gjeneratës së dytë ata që kryen sulme terroriste në Paris dhe Bruksel për shembull – veçanërisht kundër vendit të tyre.

Praktikisht, thotë eksperti i krahut të djathtë Jean-Yves Camus, ndalimi i udhëtimit do të ishte i papërshtatshëm për vende si Franca, me një popullatë të madhe afrikano-veriore që udhëton vajtje-ardhje në origjinë.

“Mendoj se shumica e qytetarëve tanë kërkojnë rregulla strikte të imigracionit, por mendoj se Fronti Kombëtar po shkon shumë larg me këtë ide.”

Ndalimi në Shtetet e Bashkuara ka sjell dilema në Bashkimin Evropian, ku vërshimi i azil-kërkuesve kohët e fundit çoi në rritjen e lartësive të mureve kufitare dhe një marrëveshje të debatueshme për të kthyer disa sirianë mbrapsht në Turqi.

"Evropa," tha ministri i jashtëm Angelino Alfano, “nuk është në pozitë të mirë për të dhënë opinione për zgjidhjet e të tjerëve."

XS
SM
MD
LG