Lidhje

Presidenti Trump, në telefon me udhëheqës të tjerë


Donald Trump
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të flasë me telefon të shtunën me kryeministrin italian Paolo Gentiloni dhe presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko.

Biseda me kryeministrin e Italisë vjen një ditë pas takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në Maltë, ku udhëheqësit diskutuan të ardhmen e bllokut evropian. Zoti Gentiloni dhe udhëheqësit e tjerë të BE-së premtuan se do të mbeten sfidues ndaj presidentit Trump, kritikat e të cilit ndaj BE-së mendohet nga disa se kërcënojnë fuqinë e aleancës ndër-atlantike. Në takimin në Maltë u diskutuan ide që do të përfshihen në një deklaratë për të ardhmen e BE-së, kur udhëheqësit evropianë të mblidhen në muajin mars në Romë për shënuar 60 vjetorin e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Gentiloni tha të premten se ai sheh një mundësi të madhe për Evropën nëse administrata Trump fokusohet kryesisht në çështjet e brendshme, duke i dhënë Europës mundësinë për t’u bërë superfuqia e parë në tregun botëror.

Krerët e BE-së miratuan edhe një plan për të frenuar rrjedhën e qindra mijëra emigrantëve nga Afrika e Veriut që përpiqen të hyjnë në Evropë nëpërmjet detit Mesdhe. Suksesi i këtij plani varet kryesisht në aftësinë e Evropës për të ndihmuar Libinë që të ndalojë emigrantët nga kalimi në shkretëtirën jugore të Libisë, si dhe në parandalimin e kontrabandistëve.

Biseda e parë e presidentit Trump me presidentin ukrainas Poroshenko vjen ndërsa njoftohet për një shtim të luftimeve në Ukrainën lindore mes trupave ukrainase dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia. Dhjetëra njerëz u vranë javën e kaluar, dhe dhuna është shkallëzuar në nivele të papara që nga viti 2015.

Presidenti Poroshenko ka argumentuar se shpërthimi i luftimeve është një arsye për të vazhduar sanksionet perëndimore ndaj Moskës për veprimet e saj kundër Ukrainës. Premtimet e përsëritura të presidentit Trump për të forcuar marrëdhëniet me Rusinë kanë krijuar shqetësime në Ukrainë se SHBA mund të heqi disa sanksione.

Por këtë javë, megjithatë, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley i dënoi veprimet agresive Rusisë në lindje të Ukrainës, dhe tha se sanksionet e SHBA-së ndaj Rusisë do të vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG