Lidhje

Vdekja e të miturit në Sharrë, dy persona nën akuzë


Në Shqipëri prokuroria e Tiranës njoftoi sot se ka mbyllur hetimet për rastin e vdekjes së 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj, i cili humbi jetën gushtin e shkuar në landfillin e përpunimit të mbetjeve në Sharrë, në zonën e Tiranës

Prokuroria shpjegon se ajo ka vënë nën akuzë dy persona, si përgjegjës për vdekjen e 17 vjecarit, përgjegjësin e turnit të kompanisë “3R” që menaxhonte përpunimin e mbeturinave, Dëfrim Hakramën, si edhe fadromistin Edmond Kollari. Sipas hetimeve, mos respektimi i rregullores për mënyrën e punës, ka sjellë për pasojë vdekjen e Gjoklajt, i cili rezulton të jetë goditur nga fadroma gjatë orëve të natës në vendin e grumbullimit të plehrave.

Ngjarja e ndodhur në Landfillin e Sharrës në 9 gusht ka ngritur që në fillim dyshime dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj Bashkisë së Tiranës, për kushtet e jashtëligjshme në të cilat detyroheshin të punonin njerëz të shtyrë nga varfëria, mes tyre dhe të mitur, një pjesë e mirë e të cilëve sipas investigimeve të medias ishin në të zezë.

Këshilltarët e djathtë kanë bërë denoncim ndaj Bashkisë. Prokuroria sqaroi se po vazhdon ndërkohë hetimi për përgjegjësitë e mundshme të Bashkisë së Tiranës, dhe kompanive që punonin sipas një marrëveshjeje me këtë institucion.

XS
SM
MD
LG