Lidhje

Gardhi kufitar


Një kompani prodhuese thotë se aftësitë dhe teknologjia që ka zhvilluar për të kapur karavidhet, mund të ndihmojë të kursehen të holla për planin e debatueshëm të presidentit Donald Trump për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Gardhi i kompanisë Riverdale Mills shtrihet përgjatë 43 kilometrave të kufirit dhe pronari i kompanisë thotë se teknologjia e tij ka vërtetuar të jetë një mënyrë e efektshme përsa i përket kostos për sigurimin e aeroporteve, burgjeve apo impianteve bërthamore. Kompania e vogël thotë se është gati të zgjerojë prodhimin.

Kjo makinë e madhe e automatizuar saldimi është pjesë e një procesi kompleks të prodhimit të rrjetave të çelikut këtu në Riverdale Mills në Northbridge, të shtetit Massachusetts.

Drejtori ekzekutiv Jim Knott thotë se kompania e tij prodhon gardhe me hapësirë më të vogël se gishti.

"Është vështirë të ngjitesh, është vështirë ta presësh – mendoj se është më i leverdisshëm sesa një mur betoni, apo zgjatimi i një muri metalik."

Zoti Knott thotë se kompania zhvilloi ekspertizë ndërsa zbuloi mënyra të reja për të prodhuar material për kapjen e karavidheve, që cilat duhet të jetë i fortë, rezistent ndaj gërryerjeve dhe me çmim të përballueshëm.

Një porosi e madhe për një gardh kufitar, mund të kërkojë një investim më të madh për pajisjet e shtrenjta dhe nevojën për të rekrutuar dhe trajnuar më shumë punëtorë të kualifikuar.

"Të shtosh punëtorët mund të jetë sfidë, por uzina jonë paguan mirë dhe njerëzit mendoj se janë relativisht të kënaqur këtu."

Riverdale furnizon tashmë një pjesë të gardhit në kufirin e Arizonës me Meksikën.

Një porosi më e madhe mund të sjellë kritika për furnizimin me material të një projekti të debatueshëm.

Por zoti Knott pret që krijimi i vendeve të punës do t’i sjellë emër të mirë kompanisë, duke zbutur çdo lloj kritike ndaj saj.

"Për çdo person që punon këtu, ne ndoshta ndikojmë tek dhjetë të tjerë në komunitet."

Ndërkohë, kjo kompani e vogël prodhimi është rritur tashmë nga 60 në 185 punonjës gjatë tre viteve të fundit dhe ka nevojë edhe për 35 të tjerë. Krijimi i vendeve të punës vjen në një kohë që Shtetet e Bashkuara kanë humbur miliona vende pune në prodhim, që në përgjithësi pagohen mirë.

Zoti Knott thotë se prodhimi është një burim i rëndësishëm i vendeve të mira të punës dhe një burim i rëndësishëm novacioni për një ekonomi të shëndetshme.

XS
SM
MD
LG