Lidhje

Drejtësia, 191 aplikantë për strukturat e rivlerësimit


Në Shqipëri janë 191 persona që kanë shprehur interes për të qenë anëtarë të strukturave të cilat do të bëjnë rivlerësimin e afër 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit. Ky është numri i rregjistruar deri në mesnatën e mbrëmshme, kur u mbyll dhe afati i aplikimeve online. Numri i aplikantëve mund të rritet ende, pasi do të priten edhe ato që mund të jenë bërë përmes postës e që janë dërguar brenda ditës së djeshme.

Burime pranë zyrës së Avokatit të Popullit bëjnë të ditur se mes aplikantëve ka dhe mjaft jurist që jetojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre jashtë Shqipërisë. Numri i të interesuarve shënoi një rritje të ndjeshme ditët e fundit, pasi fundjavën e shkuar ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë si dhe Delegacioni i Bashkimit europian, bënë thirrje publike për profesionistët shqiptarë që të aplikonin, për institucionet që do të kenë përgjegjësinë për të kryer procesin ndoshta më të rëndësishëm të të gjithë Reformës në Drejtësi.

Brenda 7 ditëve Avokati i Popullit, në konsultim me Misionin ndërkombëtar të Monitorimit I cili nisi dy ditë më parë zyrtarisht aktivitetin e tij në Shqipëri, do të hartojë dy lista me ata që plotësojnë ose jo formalisht kriteret, për 23 vende vakante: 12 për Komisionet e rivlerësimit, 7 për Kolegjin e Apelimit, dhe 4 për dy komisionerët publikë dhe zëvendësat e tyre.

Më pas do të jetë Misioni Ndërkombëtar që do të bëjë vlerësimin për cdo kandidaturë, duke hartuar dhe rekomandimet që përmes Avokatit të Popullit i kalojnë parlamentit. Në këtë fazë do të jenë të angazhuar tre gjyqtarë e prokurorë nga vendet e Bashkimit europian dhe një nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG