Lidhje

KLD, hetim gjyqtarëve që shfajësuan “Hakmarrjen”


Në Shqipëri, me kërkesë të Presidentit Bujar Nishani, i cili kryeson dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë (KLD), Inspektoriati i këtij institucioni nisi sot një hetim ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, të cilët një ditë më parë shpallën të pafajshëm të 10 anëtarët e organizatës së ashtuquajtur “Hakmarrja për Drejtësi”. Procesi gjyqësor ndaj kësaj organizate ka nisur që në mesin e viteve ’90, kur ajo u akuzua si përgjegjëse për disa akte të rënda të ndodhur në vitet 1994-1996, që nga vrasja e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi, te disa vjedhje të armatosura, apo edhe pengmarrja e një fëmije në Vlorë.

Dhënia e pafajësisë u shoqërua me polemika të shumta veçanërisht nga ana e opozitës, sipas së cilës vendimi i Gjykatës është bërë “nën urdhërat direkt të kryeministrit Edi Rama që ka arritur t’i sigurojë lirinë organizatës më kriminale në vend, Hakmarrjes për Drejtësi”.

Sipas njoftimit të KLD-së, “Inspektorati do të verifikojë veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, Alaudin Malaj, Artur Kalaja, Stavri Kallço, Sotiraq Lubonja dhe Etleva Temo, për akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit në funksion të zgjidhjes së parregullt të një çështjeje gjyqësore penale”. Hetimi do te duhet të vlerësojë “nëse gjyqtarët që kanë gjykuar çështjen penale në fjalë, haptazi nuk i janë referuar ligjit ose fakteve për shkak të pakujdesisë së rëndë ose dashjes; apo në mënyrë të pajustifikuar, kanë kryer akte dhe sjellje të papërshtatshme gjatë ushtrimit të detyrës ose jashtë saj, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose që dëmtojnë rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor”. SIpas njoftimit “për efekt hetimi, Inspektorët e KLD-së, do të evidentojnë çdo të dhënë që lidhet me përmbajtjen e ankesës publike, si dhe të dhënat që tregojnë shkelje me pasojë përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarit. Për këtë qëllim do të merren kopje të akteve që dokumentojnë rezultatet e hetimit, të administrohen regjistrimet audio të seancave gjyqësore, vendimi gjyqësor përfundimtar, si dhe të merren shpjegime nga gjyqtarët, sekretarja gjyqësore, prokurori i çështjes, kryetari i gjykatës, si dhe çdo subjekt tjetër që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimit”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG