Lidhje

Presidenti, këshilltarët dhe Rusia


Rusia hodhi poshtë një njoftim të gazetës New York Times se pjesëtarë të fushatës së presidentit Donald Trump dhe bashkëpunëtorë të tjerë të tij kishin qenë në kontakt me zyrtarë të lartë të zbulimit rus përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Gazeta citoi katër zyrtarë dhe ish-zyrtarë amerikanë sipas të cilëve agjenci amerikane të zbulimit kishin interceptuar dhe regjistruar biseda telefonike të ish menaxherit të fushatë së zotit Trump, Paul Manafort dhe disa bashkëpunëtorëve të tjerë.

I pyetur nga NYT, zoti Manafort i quajti këto njoftime absurde. Ai mohoi edhe një njoftim të ngjashëm të rrjetit CNN që thoshte se bashkëpuntorët e zotit Trump, Paul Manfort dhe Michail Flynn, kishin qenë në komunikim të rregullt me shtetas rusë para zgjedhjeve.

Në Moskë, zëdhënësi presidencial Dmitry Peskov tha të mërkurën se njoftimi nuk është bazuar në fakte ndërkohë që media ruse ka cituar shërbimin e zbulimit të jashtëm të vendit duke thënë se njoftime në lidhje me kontakte të tilla ishin të pabaza.

Michael Flynn dha dorëheqjen të hënën, pas bërjes publike të informacionit në lidhje me kontaktet që ai kishte patur me ambasadorin rus Sergej Kislyak përpara inaugurimit të presidentit Trump muajin e kaluar.

Shtëpia e Bardhë tha të martën se presidenti Trump u informua gati tre javë më parë se zoti Flynn nuk i kishte treguar të vërtetën nënpresidentit Mike Pence për bisedat. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se presidenti dhe këshilltarët e tij të ngushtë ishin duke e shqyrtuar informacionin prej disa javësh.'

Nënpresidentit nuk iu tha e vërteta

Zoti Flynn pranoi në letrën e tij të dorëheqjes se i kishte dhënë nënpresidentit Pence dhe ndihmësve të tjerë informacion jo të plotë rreth bisedave të tij telefonike me ambasadorin rus në SHBA, Sergey Kislyak disa javë para se Donald Trump të fillonte punën në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Trump është përpjekur të minimizojnë rëndësinë e problemit duke shkruar në Twitter se vemendja duhet përqëndruar më tepër në çështjen se në ç’mënyrë ka dalë ky informacion nga Shtëpia e Bardhë.

Por ligjvënësit kryesorë demokratë kanë bërë thirrje për hetime të zgjeruara mbi lidhjet midis Rusisë dhe zotit Flynn si dhe ndihmësve të tjerë të rëndësishëm. "Kjo që po ndodh nuk është normale”, tha senatorja demokrate Elizabeth Warren, një kritike e zëshme e presidentit Trump.

Paralajmërim i Departamentit të Drejtësisë

Sipas gazetës Washington Post, Departamenti amerikan i Drejtësisë, e kishte paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar se zoti Flynn nuk kishte thënë të vërtetën kur raportoi rreth bisedave të tij me ambasadorin rus dhe si pasojë ai mund të ishte i dobët ndaj një shantazhi nga ana e Moskës.

Zoti Flynn dhe ambasadori Kislyak, sipas mediave amerikane, diskutuan mbi sanksionet e vendosura nga administrata Obama ndaj Rusisë vitin e kaluar.

Ndihmësit e presidentit dhe nënpresidentit, duke u mbështetur në informacionin e dhënë nga Michael Flynn, thanë publikisht se Flynn nuk kishte diskutuar për heqjen e sanksioneve. Flynn më pas pranoi se edhe kjo çështje edhe mund të ishte përmendur gjatë bisedës me ambasadorin rus.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer thotë se “besimi ndaj zotit Flynn arriti në atë pikë se ne e kuptuam që duhet të bënim një ndryshim.”

Ligjvënësit rusë thanë se largimi i shpejtë i zotit Flynn ishte një sulm ndaj përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit. Leonid Slutsky, i cili kryeson komisionin e Dhomës së Ulët për punët e jashtme, tha se dorëheqja e Michael Flynnit ishte një sinjal negativ.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG