Lidhje

Harward nuk pranon ofertën e presidentit Trump


Zëvendës-admirali Robert Harward, nuk e pranoi ofertën e Presidentit Doanld Trump për të zëvendësuar këshilltarin e tij të shkarkuar të sigurisë kombëtare, Michael Flynn. Gjenerali Flynn u detyrua të japë dorëheqjen në fillim të javës, pasi nuk u tregoi të vërtetën zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë rreth kontakteve të tij me zyrtarët rusë gjatë periudhës së tranzicionit.

60-vjeçari Harward ka shërbyer në trupat speciale SEAL të marinës. Ai e ka bërë shkollën e mesme në Iran dhe flet rrjedhshëm persisht. Harward, i cili u tërhoq nga ushtria në vitin 2013, punon si ekzekutiv në Lockheed Martin, kompania e armëve dhe hapësirës, ku merret me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai është i respektuar në komunitetin e sigurisë kombëtare. Harward ka lidhje të ngushta me Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis. Ata kanë shërbyer së bashku gjatë kohës kur Harward ishte zëvendëskomandant i Komandës Qendrore, që mbikëqyr forcat e SHBA në Lindjen e Mesme. Harward ka punuar më parë për Shtëpinë e Bardhë, si anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me fokus tek anti terrorizmi, kur president ishte George W. Bush.

Harward tha në deklaratën e tij ku refuzonte të shërbente në postin e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, se “puna që më ofrohet kërkon një angazhim 24 orë në 7 ditët e javës për t’u bërë siç duhet. Tani për tani nuk mund ta marr një angazhim të tillë”, tha ai.

.

XS
SM
MD
LG