Lidhje

Hahn: I habitur nga pikëpyetjet për Bordin e ONM-ës

  • Armand Mero

Komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn është shprehur “i habitur nga pikëpyetjet e ngritura” nga dy ministrant e LSI-së, ai i Drejtësisë Petrit Vasili dhe ajo e Integrimit Klajda Gjosha, lidhur me Bordin e Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), që do të kryejë vëzhgimin e procesit të rivlerësimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve shqiptarë. Komisioneri Hahn, i ka dërguar një letër me shpjegime kryeministrit Edi Rama, pas shqetësimeve të ngritura zyrtarisht nga ministri Vasili dhe kolegia e tij Gjosha. Ishte jo e fundit që kërkoi ndërhyrjen e zotit Hahn.

Ministri Vasili foli për “shqetësime të rëndësishme lidhur me ligjshmërinë e procesit të ndërtimit të asaj pjese të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të quajtur Bord i Menaxhimit të Monitorimit Ndërkombëtar”, duke shtuar më tej se “në të gjitha dispozitat kushtetuese apo ligjore, nuk ka asnjë përcaktim për ngritjen e Bordit të Menaxhimit të ONM-së”. Në letrën dërgua autoriteteve më të larta të vendit si dhe ambasadores se Delegacionit europian në Tiranë Romana Vlahutin, si dhe ambasadorit amerikan Donald Lu, ministri Vasili, ndërsa saktësonte se kushtetuta parashikon ardhjen dhe rolin e ekspertëve, “sa i takon Bordit të Menaxhimit të ONM-së, përbërjes, rolit të tij të paqartë në këtë process, anëtarësisë së tij me pjesmarrës të përhershëm dhe të përkohshëm, si dhe përfshirja brenda tij të përfaqësuesve të ambasadave respektive, nuk gjejnë mbështetje as në Kushtetutë dhe as në ligj”, nënvizohet në letrën e zotit Vasili.

Komisioneri Hahn, bën fillimisht një përshkrim të procesit që coi në ngritjen e ONM-ës, dhe shkëmbimeve me Qeverinë shqiptare. Ai sjell në vëmendje përgjigjen që Drejtori i Përgjithshëm në Shërbimin e Komisionit europian, Christian Danielsson, i dërgon Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, pas kërkesës formale që qeveria shqiptare kishte paraqitur për fillimin e aktivitetit të ONM-ës. “Duke konfirmuar se Komisioni europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin arritur një marrëveshje administrative bashkëpunimi për ngritjen e ONM-ës, zoti Danielsson ka shpjeguar se ishte vendosur krijimi i një Bordi Menaxhimi, i përbërë nga përfaqësuesë të Komisionit europan dhe SHBA-ve, në mënyrë që ONM-ja të mund të kryente funskionet e saj të parashikuara në ligj”, thekson Komisioneri.

Më tej zoti Hahn, nënvizon se “Bordi i Menaxhimit nuk është një organizëm mbi ONM-ën, por pjesë themelore e ONM-ës, për të garantuar ecurinë administrative, koordinimin e aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në ONM, si ndërvepruese me autoritetet kompetente dhe mbikqyrëse e aktivitetit të monitorimit, për të cilin janë emëruar profesionistë të nivelit të lartë, të emëruar nga Bordi i Menaxhimit”.

Në letrën e tij, ai shton se “meqënëse pyetjet e ngritura nga anëtarë të qeverisë suaj ngrejnë dyshimn mbi legjitimitetin e strukturave të ONM-ës, ndjehem i detyruar të kujtoj se: Angazhimi i ONM-ës është parashikuar nga Neni B i Aneksit të Kushtetutës së ndryshuar në korrik 2016; Kushtetuta e Shqipërisë parashikon vëzhguesit ndërkombëtarë që duhet të përfshihen në fazat e ndryshme të procesit dhe ONM-ën e cila do të jetë nën udhëheqjen e Komisionit europian; Kushtetuta e Shqipërisë qartazi përcakton se OMN-ja pritet “të mbështesë procesin e rivlerësimit përmes monitorimit dhe mbikqyrjes të të gjithë procesit të rivlerësimit” dhe se “duhet të drejtohet nga Komisioni europian”. Në fakt, një drejtor i Komisionit europian po drejton Bordin; Kushtetuta e Shqipërisë gjithashtu parashikon se ONM-ja përfshin partnerët në kuadër të procesit të integrimit europian dhe bashkëpunimit euro-atlantik. Këta partnerë janë të përfaqësuar në Bord; ONM-ja duhet “të emërojë vëzhguesit”. Pra, është nga Kushtetuta që rrjesh nevoja që ONM-ja të ketë një organizmë që të vendosë për këto emërime”, saktëson Komisioneri Hahn.

Në mbyllje të letrës dërguar Kryeministrit shqiptar, zoti Hahn nënvizon se “Komisioni europian mori përsipër drejtimin e ONM-ës me angazhimin maksimal që të mbështesë procesin dhe të lehtësojë arritjen e objektivave për të cilat është parashikuar në Kushtetutë ky proces. Të jini i sigurt zoti Kryeministër se një angazhim i tillë dhe një qasje rigoroze do të jenë në bazë të të gjithë veprimtarësisë së ONM-ës”, shkruan zoti Hahn

Komisioneri për Zgjerimin e mbyll letrën e tij duke theksuar se “ONM-ja luan një rol kyç për besueshmërinë e të gjithë procesit dhe besoj se dhe Qeveria e Shqipërisë në tërësinë e saj, ka të njëjtin qasje ndaj këtij procesi dhe vazhdon të mbështesë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG