Lidhje

Fleckenstein: Vendi i deputetëve në parlament


Relatori për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein, tha sot në Tiranë se vendi i deputetëve është në parlament, ndërsa saktësoi se ai nuk do të përfshihet në ndonjë negociatë për zgjidhjen e krizës së krijuar pas vendimit të opozitës për të bojkotuar parlamentit dhe për të protestuar pa ndërprerje për arritjen e një qeverie teknike. Kryetari demokrat Lulzim Basha nënvizoi se opozita nuk do të pranojë asnjë zgjidhje të pjesshme

Eurodeputeti Knut Fleckenstein nisi sot vizitën zyrtare në Tiranë, një vizitë e programuar që më parë, por që përkon me zhvillime të tensionuara në vend, pas vendimit të opozitës për të protestuar deri në largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme 18 qershorin e ardhshëm. Opozita ka vendosur gjithashtu bojkotimin e parlamentit. Por për eurodeputetin Fleckenstein “anëtarët e parlamentit duhet të kryejnë punën e tyre në parlament”.

Një ditë më parë në një intervistë për Televizionin publik shqiptar, zëdhënësja e Komisionit europian Maja Koçijançiç u shpreh se “debati politik duhet të zhvillohet brenda parlamentit dhe jo jashtë tij. Polarizimi i mëtejshëm i arenës politike do të ishte vetëm kundër-produktive për ambicjen e Shqipërisë për t’iu bashkuar Unionit Europian” duke kujtuar rëndësinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Edhe eurodeputeti i së djathtës europiane Eduard Kukan, një njohës i mirë i realitetit shqiptar, përmes një postimi në Twitter, shprehej sot se “Opozita ka ende shumë punë për të bërë para zgjedhjeve parlamentare, në Kuvendin e Shqipërisë. Bojkoti nuk e ndihmon atë t’i mbarojë këto punë”.

Relatori për Shqipërinë Fleckenstein takoi sot gjatë paradites Kryeministrin Edi Rama dhe më pas edhe kryetarin e parlamentit Ilir Meta. Ai tha se do të takojë gjithashtu edhe kreun e opozitës Lulzim Basha, duke saktësuar se nuk do të përfshihet në asnjë proces negocimi me opozitën.

Që prej ditës së shtunë opozita vazhdon protestën përpara selisë së kryeministrisë. Drejtuesit e saj kanë përsëritur me këmbëngulje se “nuk ka kthim pas nga rruga e nisur”. Kreu i opozitës Lulzim Basha theksoi sot se nuk do të pranohet asnjë zgjidhje e pjesshme: “Jemi këtu e do jemi këtu çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më të vendosur deri në realizimin e plotë, jo të pjesshëm, të kushtit tonë, zgjedhje të lira e të ndershme, largimin e këtij kryeministri dhe krijimin e një qeverie teknike. Sot nuk ka detyrë më të madhe se sa këtë protestë ta shtrijmë anembanë Shqipërisë. Asgjë nuk do të jetë më si më parë derisa zëri i shqiptarëve për zgjedhje të lira e të ndershme të dëgjohet dhe vullneti i tyre të respektohet”, deklaroi zoti Basha, sipas të cilit “kur në vend ka rënë çdo institucion, është koha të rrëzohet Qeveria”.

Për shumicën, protesta e opozitës është “një alibi për të justifikuar humbjen elektorale të radhës” dhe “ka si synim të pengojë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. “Le ta provojnë të kundërtën - tha sot kryeministri Edi Rama - Le të vazhdojnë të protestojnë, le të vazhdojnë ta bojkotojnë Parlamentin dhe le të çojnë atje ata, 3 njerëz duhen, që i përfaqësojnë për të ngritur komisionet që populli shqiptar përmes Parlamentit dhe me Kushtetutën në dorë të shpëtojë nga kthetrat e këtyre killer-ave të veshur me të zeza, që kanë 25 vjet që i bien me çekiç kokës, nënave të viktimave, vajzave të përdhunuara dhe të gjithë atyre që shkojnë në gjykatë për të marrë një pronë dhe e humbasin pronën, duke marrë çekiçin në lule të ballit”, u shpreh kryeministri gjatë një aktiviteti me Policinë e Shtetit.

XS
SM
MD
LG