Lidhje

Maqedoni: BDI – LSDM pranë marrëveshjes për qeverinë


Zyrtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim bëjnë të ditur se propozimi i hartuar nga partitë shqiptare për përdorimin e gjuhës shqipe është harmonizuar me Partinë Social Demokrate të Maqedonisë. Marrëveshja do t’i hapte rrugën formimit të koalicionin qeverisës. Teksti i marrëveshjes për gjuhën nuk është bërë ende publik.

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev u shpreh sot, nga Sarajeva ku ndodhet për vizitë, se ka siguruar nënshkrimet e nevojshme për t’ia paraqitur presidentit, në mënyrë që ky t’i japë mandatin për formimin e qeverisë. Zoti Zaev, theksoi se është arritur pëlqimi për platformat (programet) e partive dhe se tash mbetet të zhvillohen bisedime për formimin e qeverisë.

Zoti Zaev vlerëson se brenda 10-15 ditësh Maqedonia do të ketë qeveri të re të drejtuar nga social-demokratët. “Mbetet të ulemi me kryetarët e partive të tjera lidhur me ndarjen e posteve qeveritare”, tha ai.

Bashkimi Demokratik për Integrim, pa të cilën nuk formohet dot qeveria, nuk jep hollësi se sa afër një marrëveshje përfundimtare ndodhen partitë. Zëdhënësi i partisë Bujar Osmani i tha Zërit të Amerikës se kryesia e saj pritet të dalë me një qëndrim në ditët e ardhshme.

Ndërkaq, ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili nuk arriti të sigurojë dot numrin e duhur të deputetëve për të formuar qeverinë, akuzoi sot rivalin e tij, Zaev, duke thënë se ai dhe partia e tij po u ofrojnë gjithçka shqiptarëve, duke shtuar se “VMRO-DPMNE-ja do të dalë në mbrojtje të vendit dhe të interesave shtetërore e kombëtare maqedonase”.

Në se arrihet marrëveshja përfundimtare kjo do t’i jepte fund krizës 2 vjeçare në Maqedoni të shkaktuar nga bërja publike e përgjimeve telefonike të zyrtarëve dhe poltikanëve të lartë. Autoritetet kanë krijuar një prokurori të posaçme që po heton rreth përgjimeve.

XS
SM
MD
LG