Gjatë muajit të parë në detyrë, Presidenti amerikan Donald Trump ka gjallëruar mbështetësit dhe ka zemëruar kritikët, një vazhdim i fushatës së tij presidenciale që e polarizoi vendin. Ai është kujdesur shumë që baza e mbështetësve të tij të jetë e kënaqur me javët e para të presidencës, një qasje që disa analistë thonë se mund të krijojë probleme më vonë.
Florida. Arritja avionit presidencial Air Force One entuziazmonpërkrahësit e zotit Trump, para se ai të fillojë tubimin e parë në stil fushate, por tani si komandant i përgjithshëm.
Pas muajit të parë në detyrë, i cili ishte plot ngjarje dhe disi kaotik, Presidenti Trump mezi pret të lidhet përsëri me bazën e tij politike.
"Kjo ishte vërtet një lëvizje e madhe. Dua të jem këtu me ju dhe gjithmonë do të jem me ju. Këtë jua premtoj.”
Mbështetësi i zotit Trump, Gene Huber thirret në podium. Ai mezi pret të falënderojë presidentin:
"Kur Presidenti Trump premtoi në fushatë gjërat që tha se do të bënte për ne, unë e dija se ai do t’i bënte.”
Anketat tregojnë se zoti Trump është një figurë polarizuese, por baza e tij politike është e kënaqur, thotë strategu republikan John Feehery:
"Mbështetësit e tij më të flaktë janë të kënaqur me atë që ai ka bërë, sepse në thelb ai e ka drejtuar goditjen kundër statuskuo-së," thotë Freehery.
Kundërshtarët e zotit Trump nuk kanë munguar të protestojnë, me tubime në të gjithë vendin, duke përfshirë Floridën.
"Programi i tij ka qenë përçarës, i pamoralshëm," thotë një protestues.
Javët e para të zotit Trump në detyrë janë bërë shkak për mjaft kundërshtime, thotë analisti James Thurber:
"Kjo është një tjetër pasojë që kanë sjellë veprimet e tij; ai ka bërë që njerëzit të mobilizohen, këto organizata po shtohen në numër dhe po lindin të reja."
Gjatë një vizite në Muzeun e ri të Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane në Uashington, Presidenti premtoi se do të përpiqej për unitet.
"Ne do ta bashkojmë vendin. Ndoshta do të bashkojmë edhe një pjesë të botës,” tha zoti Trump.
Dëshira e tij për t’u kujdesur për mbështetësit e bazës, mund të bëhet politikisht e rrezikshme me kalimin e kohës, thotë John Feehery:
"Mendoj se në shumë aspekte ai po dështon, megjithë përpjekjet për ta zgjeruar bazën, prandaj ai duhet të gjejë një zgjidhje dhe të mendojë se si të bëjë gjëra që kënaqin edhe pjesën tjetër të vendit.”
Niveli i miratimit për zotin Trump vërtitet në shifrën 40 për qind në shumicën e sondazheve, një tjetër tregues ky se presidentit i duhet të bëjë shumë, përpara se të mund të zgjerojë bazën e tij të mbështetjes.