Lidhje

Hetimet për kontaktet me zyrtarët rusë


Kreu i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve tha të hënën se nuk ka parë prova të kontakteve të papërshtatshme mes zyrtarëve që punuan për fushatën e presidentit Donald Trump dhe agjentëve rusë dhe nuk ka plane për ta zgjeruar më tej hetimin që po kryhet.

"Ne nuk mund të fillojmë gjueti shtrigash," tha ligjvënësi Devin Nunes para gazetarëve.

Ai po drejton një nga tre hetimet e nisura nga kongresi për lidhje të mundshme mes presidentit Trump dhe rusëve, por ka bllokuar thirrjet për një zgjerim të hetimit.

Ligjvënësit në të dyja dhomat e Kongresit po studjojnë hollësitë e gjetjeve të komunitetit amerikan të zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane, në një përpjekje për të ndihmuar zotin Trump të fitonte ndaj demokrates Hillary Clinton, ish sekretare e Shtetit.

Zyrtarët amerikanë të zbulimit arritën në përfundimin se Rusia hakeroi kompjuterin e shefit të fushatës së zonjës Clinton, dhe grupi WikiLeaks, që më pas publikoi mijëra imeilla që tregonin përpjekjet e pahijshme pas skenave nga operativë demokratë për të ndihmuar zonjën Clinton të fitonte kandidaturën presidenciale të partisë demokrate.

Para se të inaugurohej si presidenti i 45-të, Trump pranoi me rezerva konstatimin se presidenti rus Vladimir Putin ndërhyri në zgjedhje, por shtoi se nuk kishte dijeni për asnjë kontakt mes këshilltarëve të fushatës së tij dhe zyrtarëve rusë të zbulimit.

Në një takim të Shtëpisë së Bardhë me ekzekutivë të kompanive të sigurimit, Trump u pyet nga një gazetar rreth kërkesave të disa ligjvënësve për një prokuror të posaçëm për të hetuar ndonjë lidhje të mundshme mes fushatës së tij dhe Rusisë.

"Unë nuk kam telefonuar Rusinë në 10 vjet” u përgjigj zoti Trump.

Në fillim të këtij muaji, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn dha dorëheqjen pas njoftimeve se keqinformoi nënpresidentin Mike Pence dhe zyrtarët e tjerë të Shtëpisë së Bardhë rreth kontakteve të tij të shpeshta me ambasadorin rus Sergey Kislyak gjatë periudhës së tranzicionit, para inaugurimit të presidentit Trump.

XS
SM
MD
LG