Lidhje

Tirana e shqetësuar nga qëndrimi i Presidentit maqedonas


Autoritetet shtetërore dhe politike në Shqipëri kanë reaguar me shqetësim ndaj vendimit të presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov për të mos mandatuar udhëheqësin e Partisë Social-Demokrate (LSDM) Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re për shkak të pranimit nga ana e tij të platformës së paraqitur nga partitë shqiptare me pretendimin se është “një platformë e shteteve fqinje që rrënojnë sovranitetin e Shtetit”, një referencë e qartë ndaj autoriteteve të Shqipërisë, ku dhjetorin e shkuar, kryeministri Edi Rama dhe ministri i jashtëm Ditmir Bushati mblodhën në Tiranë udhëheqësit e partive shqiptare në Maqedoni. Platforma e partive shqiptare synon respektimin e të drejtave të shqiptarëve, njohjen e tyre si element shtetformues si dhe të shqipes si gjuhë zyrtare në të gjithë Maqedoninë

Përmes një postimi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama ju drejtua presidentit maqedonas Ivanov duke theksuar se “gjuha shqipe s'është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur President!”, nënvizoi kryeministri.

Shqetësim për “situatën e rënduar”, shprehu dhe kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta. “Shpreh keqardhjen për retorikat nacionaliste anti-shqiptare të cilat cënojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndër-etnike, si garanci për stabilitetin e vendit fqinj. Shpresoj që gjithë aktorët institucionalë dhe politikë të tregojnë përkushtim për progresin demokratik dhe euro-atlantik të Maqedonisë”, thekson një deklaratë e zotit Meta.

Edhë kryetari i opozitës Lulzim Basha, e cilësoi vendimin e presidentit Ivanov “një akt diskriminimi etnik që nuk i kontribon harmonisë midis etnive shtetformuese në Maqedoni. Maqedonia stabile, demokratike dhe e integruar në NATO dhe BE është interesi më i mirë i shqiptarëve në Maqedoni, dhe vullneti i të gjithë shqiptarëve në këtë drejtim është i palëkundur. Por stabiliteti dhe rruga e integrimit të Maqedonisë cënohet rëndë nga akte të tilla diskriminuese. Pranimi i dygjuhësisë e emancipon Maqedoninë nga ngërçet dhe paragjykimet dhe zgjeron hapësirën e lirisë duke forcuar kështu vetë themelet e saj”, nënvizon zoti Basha, ndërsa rikonfirmon “mbështetjen për Platformën Shqiptare” dhe ju kërkon partive politike shqiptare në Maqedoni “të veprojnë të bashkuara në mbështetje të të drejtave legjitime të shqiptarëve në Maqedoni”.

XS
SM
MD
LG