Përfaqësuesit e NATO-s dhe Rusisë biseduan të premten për çështje të sigurisë, njoftoi ministria ruse e mbrotjes. Këto ishin bisedimet e para mes tyre që nga periudha kur i ndërprenë komunikimet, për shkak të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Kryetari i komitetit ushtarak të NATO-s Petr Pavel u takua me shefin e shtabit rus Valery Gerasimov, për të diskutuar "çështje të sigurisë" dhe rivendosjen e mundëshme të bashkëpunimit ushtarak për të shmangur "incidentet".
"Ky është kontakti i parë ushtarak i nivelit të lartë që kur këshilli NATO-s vendosi të ngrijë marrëdhëniet me Rusinë," thuhet në deklaratën e ministrisë.
Aty thuhet gjithashtu se zoti Gerasimov u ankua në lidhje me "rritjen e ndjeshme të aktivitetit ushtarak të aleancës pranë kufirit rus."
Sipas zyrtarëve të NATO-s, rivendosja e komunikimit është në interesin e të dyja palëve.
“Dy gjeneralët ranë dakort të mbeten në kontakt”, thanë zyrtarë të aleancës pa dhënë shumë detaje se çfarë diskutuan.
NATO-ja e ndërpreu komunikimin ushtarak me Moskën, pas sulmeve të përsëritura të Rusisë ndaj Ukrainës.
Aleanca e ka rritur numrin e trupave të vendosura në Europën lindore, në afërsi të kufirit me Rusinë.