Lidhje

Tillerson nuk përjashton ndërhyrjen ushtarake ndaj Phenianit


Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson tha se veprimi ushtarak kundër Koresë së Veriut të armatosur me armë bërthamore është një "alternativë e mundshme". Kryediplomati amerikan paralajmëroi se politikës së durimit strategjik me Phenianin i ka ardhur fundi. Sekretari Tillerson gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatëtë po marrin masa të reja mbrojtëse për t’iu kundërvënë kërcënimit nga Korea Veriore.

Përmes deklaratave të forta gjatë një konference shtypi sot në Seul me ministrin e jashtëm të Koresë së Jugut Yun Byung-se, Sekretari i Shtetit Tillerson sinjalizoi një ndryshim të rëndësishëm në politikën amerikane ndaj Koresë së Veriut, duke thënë se provat me raketa dhe programet bërthamore duhet të ndalen.

"Më lejoni të jem shumë i qartë, politika e durimit strategjik ka përfunduar. Ne jemi duke shqyrtuar një numër masash të reja diplomatike, të sigurisë dhe ekonomike, të gjitha opsionet janë në tavolinë".

Tillerson tha se po krijohet një "grup i aftësive gjithpërfshirëse" për t'u marrë me vendin e izoluar, i cili teknikisht është ende në luftë me fqinjin e tij jugor.

"Ne i bëjmë thirrje fuqive të tjera të rajonit dhe të gjitha vendeve të bashkohen me ne në kërkesën tonë që qeveria e Koresë së Veriut të zgjedh një rrugë më të mirë dhe një të ardhme të ndryshme për popullin e saj. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në mbështetjen e mbrojtjes së aleatëve dhe ne do të vazhdojmë të zhvillojmë kapacitete gjithpërfshirëse për t'iu kundërvënë kërcënimit në rritje të Koresë së Veriut me raketa balistike. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara dhe Republika e Koresë kanë marrë masa të reja mbrojtëse duke dislokuar sistemin e mbrojtjes nga raketat, THAAD. Ndërsa ne pranojmë kundërshtimin e Kinës, hakmarrje e saj ekonomike kundër Koresë së Jugut është e papërshtatshme dhe shqetësuese. Ne i kërkojmë Kinës që të përmbahet nga një veprim i tillë. Në vend të kësaj, ne i bëjmë thirrje Kinës që të trajtojë kërcënimin që e bën sistemin THAAD të nevojshëm, si rezultat të shkallëzimit të kërcënimit nga Koreja e Veriut."

Kryediplomati amerikan vizitoi Zonën e Çmilitarizuar, të armatosur rëndë, e cila ndan dy Koretë.

Kjo është ndalesa e dytë e Sekretarit Tillerson në turneun e tij në Azi.

Tillerson tha të enjten në Tokio se "është e qartë se një qasje e ndryshme është e nevojshme", pas 20 viteve të përpjekjeve të dështuara diplomatike për të parandaluar Korenë e Veriut nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Ai tha se arsyeja e dytë e vizitës në rajon është shkëmbimi i mendimeve me Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën mbi rrugët e tjera përpara.

Ai tha sei angazhimi i Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen Japonisë dhe aleatëve të tjerë "është i palëkundur."

Faza e fundit e turneut të Sekretarit Tillerson është në Kinë, ku axhenda e tij përfshin një takim me presidentin Xi Jinping. Bisedimet e tij me presidentin Xi do të hedhin bazat për takimin mes presidentit Xi dhe presidentit amerikan Donald Trump, që pritet të mbahet në fillim të prillit në Florida.

XS
SM
MD
LG