Lidhje

Nishani: Kandidatura e Xhafajt si ministër, e papërshtatshme


Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani tha sot në mbrëmje se ai ishte kundër kandidaturës së zotit Famir Xhafaj për ministër të Brendshëm, i propozuar nga kryeministri Edi Rama pas shkarkimit javën e shkuar të ministrit Sajmir Tahiri. A e konsideroi atë një kandidaturë të papërshtatshme, por saktësoi se Kushtetuta nuk ja njeh atij kompetencën për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pas në rast të kundërt ai nuk do ta kishte dekretuar atë. Qëndrimi i tij vjen në një moment tensioni të theksuar politik. Opozita e ka kundërshtuar me forcë kandidaturën e zotit Xhafaj, ndërsa këmbëngul në kërkesën për qeveri teknike. Kryeministri Edi Rama anga ana e tij tha sot se zgjedhjet do të mbahen edhe nëse opozta vendos të mos futet në to.

Përpara se të shprehej direkt për kandidaturën e zotit Xhafaj, presidenti bëri një vlerësim të gjatë të situatës politike në vend. “Opozita është jashtë parlamentit dhe është në një protestë publike, dhe njëkohësisht polarizimi i shoqërisë për fatin e keq është mjaft i theksuar, çka e ngarkon dhe me shumë situatën politike të vendit. Jemi pranë nisjes së fushatës elektorale dhe kjo situatë e tensionuar politike nuk e ndihmon procesin e fushatës dhe të vetë zgjedhjeve në një kohë që opozita ka artikuluar kërkesën për të garantuar zgjedhje të lira”, u shpreh zoti Nishani duke nënvizuar se “në këtë kontekst, të kësaj situate, edhe këto qëndrime e vendimarrje politike të përbërjes së Qeverisë kanë një speficikë të veçantë, dhe më e e veçanta, është te Ministria e Brendshme”.

Sipas presidentit Nishani “për fatin e keq, gjatë viteve të fundit është konstatuar një politizim i skajshëm i Policisë së Shtetit, çka e dëmton në tërësi situatën parazgjedhore”, tha ai duke vënë në dukje përgjegjësinë e policisë për përhapjen e kultivimit të marijuanës apo “konstatimi i lidhjeve të individëve të angazhuar në grupe të krimit të organizuar me politikën”. Kreu i Shtetit theksoi më pas rolin që Ministria e Brendshme ka lidhur me procesin zgjedhor. “Ajo ka përgjegjësi në garantimin e Rendit dhe të Sigurisë. Kemi parasysh përballjen dhe qasjen e fenomeneve të identifikuar dhe nga organizma ndërkombëtar, siç është shitblerja e votës, apo angazhimi i individëve me rekorde kriminale në fushatë. Ka përgjegjësinë për funksionimin e infrastrukturës për pushtetin lokal. Si dhe është prodhuese përmes Drejtorisë së Gjendjes civile, e listave të votuesve”.

Presidenti foli më pas edhe lidhur me “dëshmi publike,shqetësuese, të cilat akuzojnë kandidaturën e ministrit të Brendshëm për ushtrim dhune dhe torturë gjatë procesit hetimor jo vetëm ndaj subjekteve që hetohen por dhe familjarëve të tyre, për më tepër sipas dëshimeve publike, ky hetim fokusohet për shkak të reagimit të subjekteve nën hetim ndaj vdekjes së diktatorit”. Eshtë rasti i dy personave që për të njejtçn çështje, kanë pretenduar në media, se janë keqtrajtuar në mesin e viteve ’80 nga zoti Xhafaj.

“Në këto rrethana, në këtë kontekst të rëndësisë që ka angazhimi i strukturave të mininistrisë së Brendshme dhe garancive që duhet të japë personi që duhet të drejtojë së pari në respekt të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të garantimit të paanshëm të ushtrimit të të drejtave themelore, posacërisht në proçeset zgjedhore që janë procese politike të përballjes së alternativave të ndryshme politike, në vlerësimin tim kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme. Por Kushtetuta nuk ja jep të drejtën, presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pasi i vetmi kusht i cili përcakton Kushtetuta është ai plotësimit të kritereve për të qene deputet”, deklaroi presidenti Nishani due saktësuar se “në rast se kushtetuta do t’ja njihte të drejtën presidentit për të refuzuar kandidaturat e kryeministrit, në bazë të arsyetimeve, unë do ta refuzoja kandidaturën e ministrit të Brendshëm. Por në kushtet kur nuk ja jep këtë të drejtë presidentit, shpresoj dhe besoj se ai institucion të cilit Kushtetuta ja njeh këtë të drejtë, për të vlerësuar kandidaturat, që është parlamenti i Shqipërisë do të gjykojë dhe vlerësojë të gjithë rrethanat dhe specifikën që ka jeta shoqërore, politike e publike, që janë zgjedhjet e ardhshme politike”.

Prej disa ditësh opozita është shprehur publikisht kundër kandidaturës së zotit Xhafaj, madje duke i kërkuar pubkikisht presidentit Nishani mosdekretimin e tij. Kryetari demokrat Lulzim Basha përdori dhe terma të fortë e kërcënues pak ditë më parë kur tha se opozita zotohej se “Fatmir Xhafaj nuk do kalojë pragun e Ministrisë së Brendshme përveçse mbi trupat tanë”. Opozita prej më shumë se katër javësh këmbëngul në krijimin e një qeverie teknike si një kusht të panegociueshëm, ndërsa ka kërcënuar dhe me mospjesmarrjen e saj në procesin zgjedhor.

Sot pasdite duke folur për kërkesat e opozitës, kryeministri Edi Rama, në komunikimin e tij javor përmes Facebook-ut u shpreh se zgjedhjet do të mbahen edhe nëse opozita nuk do të pranojë të futet. “Për të mos lënë asnjë ekuivok, lejomëni t’ju them për çdo rast, që një eventualitet i tillë më dhëmb seriozisht shumë, por seriozisht nuk më tremb aspak. Pavarësisht se mosparaqitja në zgjedhje e partisë më të madhe të opozitës, apo kujtdo partie tjetër parlamentare, është një anomali e rëndë, ne nuk do t’i bashkohemi kurrë një mungese të tillë haluçinante respekti të politikës për popullin. Ne – vijoi zoti Rama - do të respektojmë datën e zgjedhjeve dhe deri në atë datë do të angazhohemi në fushatë si asnjëherë më parë për të dalë përpara gjykimit të sovranit me sa shumë kemi bërë për Shqipërinë, për sa shumë mbetet për të bërë për shqiptarët dhe sa shumë kanë për të humbur Shqipëria dhe shqiptarët nëse kthehemi mbrapa. Jemi në marsin e 2017 dhe nuk jemi në marsin e 1997 dhe orën e përpjekjeve për të bërë shtet dhe ardhmëri për Shqipërinë e gjeneratës tjetër nuk e ndal dot kush dhe asgjë”, theksoi kryeministri.

XS
SM
MD
LG