Lidhje

Hetimi i komplotit rus në Malin e Zi dhe anëtarësimi në NATO


Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç, i tha Zërit të Amerikës se vendet e NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, mbështesin hetimet e autoriteteve të vendit të tij për komplotin e organizuar nga Rusia për rrëzimin e qeverisë malazeze dhe për bllokimin e anëtarësimit të vendit në NATO. Gjithashtu, Mali i Zi ka besim se Kongresi amerikan do ta ratifikojë së shpejti traktatin e anëtarësimit në NATO.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanovic, tha dje se vendet aleate në NATO, të udhëhequra nga SHBA-ja, mbështesin hetimin e prokurorëve malazezë të një komploti rus për të rrëzuar qeverinë pro-perëndimore të vendit dhe për të ndaluar kështu anëtarësimin në aleancën e Atlantikut.

Ministri Darmanovic i tha shërbimit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se “Shtetet e Bashkuara ndihmuan më shumë, duke ofruar mbështetje dhe informacion”. Komentet e tij u bënë në të njëjtën ditë ndërsa zhvillohej një seancë dëgjimore në Kongresin amerikan për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Kërkesa e Malit të Zi për anëtarësim në NATO është duke u shqyrtuar nga Senati i Shteteve të Bashkuara.

Javën e kaluar, Senatori Rand Paul bllokoi votimin në plenare të traktatit për anëtarësim në NATO. Sipas mbështetësve, përllogaritet se mbi 90 senatorë janë në favor të anëtarësimit të Malit të Zi. Senatori republikan John McCain reagoi ashpër ndaj Senatorit Paul, duke e akuzuar se “punon për Vladimir Putinin”.

Ministri Darmanovic u shpreh se nuk pret të ketë pengesa të mëtejshme ndaj ratifikimin të anëtarësimit të Malit të Zi dhe se pret që vendi i tij të marrë pjesë si anëtar me të drejta të plota në samitin e radhës të NATO-s, që do të zhvillohet në muajin maj në Bruksel.

XS
SM
MD
LG