E bija e presidentit Trump, Ivanka, ka tani një zyrë në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë dhe do të ketë qasje në informacionet sekrete, edhe pse nuk është punonjëse e qeverisë.
Avokati i zonjës Trump tha se ajo nuk do të ketë titull zyrtar, por do të veprojë në përputhje me rregullat e etikës që zbatohen për punonjësit e qeverisë. Sipas tij, Ivanka Trump nuk do të paguhet me rrogë nga qeveria.
Shtëpia e Bardhë nuk u është përgjigjur kërkesave për komente, por
zonja Trump tha në një deklaratë se do të vazhdojë t’i ofrojë të atit "këshilla të sinqerta, ashtu siç ka vepruar gjithmonë”.
Ivanka Trump i bashkohet bashkëshortit, Jared Kushner në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, epiqendra e pushtetit ekzekutiv, ku ai shërben si këshilltar i lartë.
Ligjet amerikane të anti-nepotizmit i ndalojnë të afërmit të kenë poste qeveritare. Por Departamenti i Drejtësisë tha kohët e fundit se ekziston një klauzolë e veçantë për punësimin që e lejoi Presidentin të bënte një emërim të tillë.