Lidhje

SHBA, Britania ndalojnë pajisjet elektronike në avionë nga disa vende


Britania njoftoi të martën se nuk do të lejonte që pasagjerët të sillnin në bord të avionëve pajisje të mëdha elektronike si kompiuterë portativë dhe tableta, në fluturime nga gjashtë vende të Lindjes së Mesme, pasi Shtetet e Bashkuara morën një masë të ngjashme.

Direktiva e re britanike do të bllokojë pajisje më të mëdha se 16 polç në gjatësi, dhe me trashësi mbi 1.5 polç në fluturime nga Turqia, Libani, Jordania, Egjipti, Tunizia, dhe Arabia Saudite.

"Fluturimet direkte për në Britani nga këto vende do të vazhdojnë por në përputhje me këto masa të reja," tha një zëdhënës për kryeministren Theresa May në komentet për shtyp. "Mendojmë se këto janë masa të nevojshme dhe në përputhje me rrezikun ekzistues, në mënyrë që të mundësojmë udhëtim të sigurtë për pasagjerët," tha zëdhënësi.

Më herët sot, qeveria amerikane tha sot se ndalon pasagjerët në fluturimet e drejtpërdrejta për në Shtetet e Bashkuara nga tetë vende, kryesisht të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, të sjellin në çantat e tyre personale në bord laptopë, tableta dhe pajisje të tjera elektronike.

Duke mos përmendur ndonjë kërcënim konkret, bordi i qeverisë për sigurinë e transportit tha se udhëtarët që nisen drejt SHBA nga 10 aeroporte do të lejohen të sjellin në kabinat e pasagjerëve vetëm telefona celularë. Pajisjet më të mëdha elektronike duhet të kalojnë në çantat e kontrolluara në bagazhin e avionit.

Masat e reja hynë në fuqi sot në mëngjes dhe linjat ajrore do të kenë afat deri të shtunën për zbatimin e tyre, përndryshe nuk do të lejohen të fluturojnë drejt Shteteve të Bashkuara, thanë zyrtarët.

Ata thanë se vendimi mori shkas nga vlerësimet e zyrtarëve të zbulimit në lidhje me kërcënime të mundshme ndaj aeroplanëve që udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët nuk pranuan të jepnin hollësi.

Ndalimi prek fluturimet nga aeroportet ndërkombëtare në Aman, Kuvajt City, Kajro, Stamboll, Xhedah, Rijad, Kazablanka, Doha, Katar, Dubai dhe Abu Dhabi. Rreth 50 fluturime në ditë do të ndikohen nga kjo masë. Zyrtarët thanë se disa kompani ajrore me bazë në Shtetet e Bashkuara kanë fluturime të drejtpërdrejta nga këto qytete drejt Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG