Procesi i komplikuar i dërgimit të njerëzve në hapësirë ndërlikohet edhe më shumë prej rrezatimit. Atmosfera e Tokës dhe fusha manjetike na mbrojnë nga efektet negative, ndoshta edhe vdekjeprurëse, të rrezatimit gama. Por në hapësirë, ashtu si edhe në skenarët e një shkatërrimi bërthamor, nevojitet mbrojtja nëpërmjet shtresave të betonit apo plumbit për të na mbajtur të sigurtë. Tani, një jelek i ri i përbërë nga materiale të lehta mund ta zgjidhë problemin e rrezeve gama, ndërsa po shqyrtohen mënyrat për dërgimin e njerëzve në Hënë, në Mars, dhe më tej.
Boshllëku i hapësirës përshkohet nga pjesëza rrezatimi, rreze kozmike dhe gama, të ardhura nga Dielli ynë dhe nga më larg.
Atmosferat e rralla të Marsit dhe të Hënës nuk do të ofrojnë mbrojtje për kolonët e ardhshëm.
Prandaj, mbrojtja nga rrezatimi është thelbësor për shpresën e kolonizimit të planetëve.
Kompania izraelite “StemRad” ka ideuar “Mburojën ndaj Rrezatimit – AstroRad”.
“Ne po ofrojmë mbrojtjen më të mirë të mundshme, për të gjithë skenarët, që nga katastrofa bërthamore dhe deri tek udhëtimi i njerëzve në Mars”, thotë Gideon Waterman, i firmës “Stemrad”.
Jeleku është ndërtuar që të mbrojë indet jetike njerëzore nga rrezatimi i dëmshëm.
Jeleku do të testohet në vitin 2018 kur të dërgohet në hapësirë me fluturimin provë të anijes Orion të NASA-s, që do të rrotullohet përqark Hënës.
Ekipi thotë se do të ofrojë të njëjtën mbrojtje, ashtu si dhoma e mbrojtur në anijen Orion.
“Nga testimet tona jemi të sigurtë që funksionon, por për të qenë 100% të sigurtë, do ta dërgojmë me ‘Misionin Eksplorues 1’ në kapsulën Orion të NASA-s”, thotë Oren Milstein, i firmës “Stemrad”.
Jeleku përbëhet nga struktura të vogla, të lehta dhe fleksibël, dhe do të përshtatet për çdo person.
Ai është bërë tashmë pjesë e planit madhor të NASA-s për të dërguar njerëzit në Mars, në dekadën e viteve 2030-të.