Lidhje

Engel: SHBA të mbështesin krijimin e ushtrisë së Kosovës


Ligjvënësi amerikan Eliot Engel tha se SHBA duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur aspiratat e Kosovës drejt integrimeve ndërkombëtare.

Zoti Engel, një ndër anëtarët më aktivë të Kongresit në mbështetje të çështjeve shqiptare, e shfrytëzoi dje kohën që i ishte rezervuar në një seancë të Kongresit për të ndarë me kolegët problemet me të cilat ndeshet Kosova.

Ai i lidhi këto probleme me një fushatë intensive të Beogradit, që ai tha se synon të pengojë proceset integruese të Kosovës.

Numri dy i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, theksoi në fjalimin e tij se mbështetja e Shtetet e Bashkuara për Kosovën duhet të shtohet:

“Mbështetja e Amerikës për Kosovën është më e rëndësishme se kurrë. Prandaj Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë për të thelluar lidhjet mes dy vendeve, për të pasuruar mirëkuptimin e përbashkët dhe për të forcuar në vazhdimësi stabilitetin në gjithë Ballkanin. Kjo është mënyra drejt një Kosove më të begatë, më demokratike dhe shumetnike; kjo është rruga që Shtetet e Bashkuara të shohin një Ballkan të lirë, në paqe dhe pjesë të Evropës”.

Kosova, tha zoti Engel, dëshiron të jetë pjesë e një Evrope të sigurtë dhe të integruar, por synimi i saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe NATO pengohet nga pesë vende evropiane, si dhe nga Serbia dhe aleati i saj, Rusia.

Zoti Engel kritikoi qëndrimin e administratës amerikane që nuk e mbështeti nismën e Kosovës për të patur ushtrinë e saj:

“Uashingtoni po përcjell kritika e kërcënime diplomatike. Ne po deklarojmë se nuk do ta mbështesim ngritjen e ushtrisë së Kosovës. Kjo është absurde dhe ky qëndrim duhet të ndryshojë menjëherë, Armë e materiale po dërgohen në Serbi, falë Vladimir Putinit. Me sa kam parë, Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar në heshtje,” tha ligjvënësi.

NATO-ja, e cila ka rreth 4,500 ushtarë në Kosovë, ka thënë se plani për krijimin e një ushtrie ngre shqetësime serioze.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se SHBA e mbështesin transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s. Por ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës.

Zoti Engel ngriti shqetësimin se Serbia është bërë kohët e fundit pengesë e Kosovës në çdo formë të mundshme, përmes akteve që sjellin shkallëzim tensionesh. Ligjvënësi veteran sjell si shembuj të kësaj politike një numër veprimesh që nga “dërgimi i një treni propagande në Kosovë”, rolin në Beogradit në votën e dështuar për antarësimin e Kosovës në UNESCO, mungesën e përparimit për të vënë në vend drejtësinë për viktimat e luftës e deri tek arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Kjo sjellje, thotë ligjvënësi Eliot Engel, ka vënë në pikëpyetje angazhimin e Beogradit ndaj procesit të normalizimit:

“Çfarë normalizimi përfshin nxitjen e tensioneve tek popullata pakicë e një vendi fqinj dhe pengimi i procesit të integrimit ndërkombëtar të këtij vendi? Këtë po bën Serbia në Kosovë. Kjo duhet të ndalë”.

Për këtë arsye, thotë zoti Engel, Shtetet e Bashkuara duhet t’i përmbahen kursit si përkrahëse të Kosovës. Ai iu drejtua kolegëve në Kongres, miqve dhe të gjithë bashkëkombasve amerikanë me fjalët:

“Kur të vizitoni Kosovën, do ta shihni dhe do të ndjeheni krenarë që jeni amerikanë. Njerëzit do t’ju afrohen në rrugë, do të duan t’ju prekin, të flasin me ju, do të duan të jenë e të përqafojnë çdo gjë amerikane”.

Miq të tillë i duhen Amerikës, thotë në fjalën e tij para Dhomës së Përfaqësuesve ligjvënësi Eliot Engel.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG