Lidhje

Kushner, banka ruse dhe hetimet amerikane


Ndihmësi i lartë i Shtëpisë së Bardhë Jared Kushner ka pranuar të flasë përpara Komisionit të Senatit për Zbulimin lidhur me takimet që ka patur me rusët gjatë fushatës presidenciale si dhe gjatë tranzicionit.

Një bankë ruse, e cila ndodhet nën sanksionet ekonomike perëndimore për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë pohoi se drejtuesit e saj e kanë takuar dhëndrrin e Presidentit Donald Trump në muajin dhjetor.

Një komision i Senatit amerikan që po heton rreth ndërhyrjes së supozuar ruse në zgjedhjet e nëntorit, do të intervistojë bashkëpunëtorët e zotit Trump, duke përfshirë zotin Kushner, i cili ka pranuar të dëshmojë.

Dhëndrri i zotit Trump ka pranuar se është takuar me ambasadorin rus në Uashington dhjetorin e kaluar por vetëm të hënën u mësua se drejtuesit e bankës shtetërore ruse për zhvillimin, Vnesheconombank (VEB), kanë biseduar me të vitin e kaluar.

Banka tha në një deklaratë se si pjesë e përgatitjes së një strategjie të re, drejtuesit e saj janë takuar me përfaqësues të institucioneve financiare në Evropë, Azi dhe Amerikë.

Banka nuk thotë se ku dhe kur janë zhvilluar takimet. As zoti Kushner nuk ka komentuar.

Kremlini thotë se takimi mes zotit Kushner dhe përfaqësuesve të bankës shtetërore ruse ishte diçka rutinë.

Presidenca e re e zotit Trump përballet me pohimet e agjencive amerikane të zbulimit se aktorë rusë kanë qenë prapa hakerimit të serverave të Partisë Demokratike dhe përhapjes së dezinformacioneve gjatë zgjedhjeve.

Demokratët akuzojnë rusët se janë përpjekur të ndikonin në zgjedhje në favor të republikanëve, akuza që zoti Trump i ka hedhur poshtë.

Ndërkohë, zoti Kushner do të drejtojë Zyrën e re të Novacionit pranë Shtëpisë së Bardhë. Roli i tij do të jetë që ta bëjë qeverinë federale të funksionojë më tepër si një biznes efikas.

Në zyrën e re do të punojnë ish-drejtues të korporatave të tilla si Microsoft, General Motors, apo banka e investimeve Goldman Sachs.

Dje, sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë nuk u kushtoi rëndësi pyetjeve nëse 36-vjeçari Kushner, njeri i panjohur për qeverinë, është i kualifikuar për të drejtuar një zyrë të tillë.

Zotit Kushner i janë ngarkuar edhe detyra të tjera me rëndësi, si procesi i paqes në Lindjen e Mesme, apo roli si këshilltar kryesor i presidentit për vende si Kina dhe Meksika.

Sfidat janë të mëdha. Stephen Goldsmith i Universitetit të Harvardit komentoi kështu për Zërin e Amerikës përmes Skype-it:

"Ekzistojnë probleme burokratike dhe çështje të marrëdhënieve me kongresin të cilat janë komplekse. Duke patur një zyrë për novacionin në nivelet më të larta të qeverisë, kjo jep shpresë për një ndryshim.”

Zyra e re, sipas mandatit të publikuar prej saj, ka për qëllim të "përmirësojë cilësinë e jetesës për amerikanët" dhe "të nxisë krijimin e vendeve të punës."

Zyrtarët thonë se ajo pritet gjithashtu të bëjë rekomandime lidhur me disa funksione të qeverisë që një ditë mund të privatizohen.

XS
SM
MD
LG