Lidhje

Lulëzimi i qershive në Uashington


Është një traditë çdo pranverë në Uashington. Përpara se pemët të mbushen me gjethe, lulet e famshme të qershisë i japin hijeshi bregut të lumit Potomak. Por sivjet, lulet e qershisë rrezikuan të mos çelin fare. Temperaturat e ftohta të pazakonta për stinën, dëmtuan sythat që ishin gati të shpërthenin. Më shumë se gjysma prej tyre mbijetuan dhe me shpërthimin e luleve të brishta këtë javë, “shpërthyen” dhe vizitorët.

Lulet e qershisë në Uashington dhurojnë gjithmonë spektakël. Ndonëse këtë herë lulet nuk janë aq të dendura sa vitet e shkuara, vizitorët nga e gjithë bota sërish iu gëzuan bukurisë së tyre, përfshirë një turist nga Turqia.

Vizitorët janë dukshëm më të paktë këtë vit, me shumë gjasa sepse shumë prej tyre morën vesh se disa nga sythat nuk çelën. Por pemët e kanë lënë pa frymë këtë grua nga Çikagoja, e cila i sheh lulet e bardha dhe rozë të lehtë për herë të parë në jetën e saj.

“Nuk jam fare e zhgënjyer. Mendoj se janë absolutisht të mrekullueshme.”

Qëkurse pemët e qershisë u mbollën këtu e njëqind vite më parë, shumë turistë kanë ardhur të shohin shfaqjen e pranverës. Japonia u dhuroi Shteteve të Bashkuara 3,000 pemë si gjest miqësie. Rreth 1,700 prej tyre u mbollën përgjatë reservuarit pranë Monumentit të Uashingtonit dhe Përkujtimores së Xhefersonit, qqë është edhe pika më e famshme nga ku mund të shihen lulet e qershisë.

Kjo zonjë nga Kina, e cila jeton në Japoni, thotë se është një ndjesi magjike të shikosh lulet e qershisë.

“Është një pamje e re dhe ndryshe. Edhe monumenti aty mbrapa është shumë i bukur. Ndihem e mirëpritur nga Uashingtoni.”

Ky fanar guri, i gdhendur më shumë se 350 vite më parë, është po ashtu dhuratë nga Japonia. Ai është vendosur midis pemëve më të vjetra, të cilat pavarësisht moshës së tyre, kanë këtë vit lulet që bien më shumë në sy. Kjo zonjë nga Gjermania po argëtohet duke u bërë foto.

“Mezi pres t’ua tregoj fotot miqve të afërt dhe familjes. Besoj se edhe atyre do t’u kishin pëlqyer shumë lulet e qershisë.”

Lulëzimi i pemëve zgjat vetëm një javë ose dy. Kur erëra ose një shi i fortë godet lulet e brishta, ato bien në tokë, duke i dhënë kështu fund spektaklit deri vitin e ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG