Lidhje

Rama: Tani radhën LSI-ja të shprehet për koalicionin


Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama deklaroi dhe një herë sot se vazhdimi i koalicionit me Lëvizjen Socialiste për Integrim është strategjik dhe shkon përtej mosmarrëveshjeve që palët kanë sot me njëra-tjetrën. Duke folur në Asamblenë Kombëtare të partisë së tij, zoti Rama megjithatë theksoi fort faktin se Partia Socialiste, sipas tij, është forca e vetme që mund të udhëheqë vendin dhe se aleatët e saj duhet të ndjehen krenarë të jenë në krah të tyre. Duke ju referuar protestës së opozitës, ai u shpreh se zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor dhe se nuk është i shqetësuar nga mospjesëmarrja e mundshme e opozitës.

Asambleja e Partisë Socialiste të Shqipërisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:30 0:00

Që prej fundvitit të kaluar, socialistët po presin një përgjigje nga aleati i tyre kryesor, Lëvizja Socialiste për Integrim, për të ardhmen e koalicionit të tyre. Një përgjigje, e cila është shtyrë, herë në pritje të mbledhjes së forumeve, herë me motivin se ka ende kohë. Por, tani kur koha në dispozicion mbetet e pakët, pasi më 19 prill skadon afati i regjistrimit të koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit, Kryeministri dhe kryetari socialist Edi Rama, theksoi sot dhe një herë se sipas tij, vazhdimi i aleancës mes tyre është strategjik për të çuar përpara reformat e thella për të cilat ka nevojë vendi.

Marrëdhëniet mes palëve kanë qenë me ulje ngritje të shumta, ndërsa së fundmi replikat në distancë mes përfaqësuesve të ndryshëm janë shpeshtuar. Ndërsa nuk mungoi të vinte në dukje “mëkatet” e aleatit të vet, zoti Rama megjithatë vlerësoi rolin e LSI-së duke i mëshuar faktit se koalicioni matet nga rezultatet e arritura dhe reformat e realizuara së bashku dhe jo “me gjërat që nuk shkojnë në bashkëqeverisjen e sotme, nuk matet as me sasinë e helmit që hera-herës, më shumë kohët e fundit, hedhin partnerët tanë të vegjël në ujin e bashkëqeverisjes, jo me sa rrallë flet, sa pak flet dhe kur flet LSI-ja për ato që janë arritur dhe me sa qejf i thumbon ministrat tanë më të suksesshëm”.

Duke u shprehur se ndërprerja e bashkëpunimit nuk do të ishte pozitive, zoti Rama nënvizoi disa herë se sipas tij Partia Socialiste është një forcë udhëheqëse dhe se të tjerat duhet të ndjeheshin krenarë përkrah saj: “Për vetë fazën ku janë reformat dhe ku është procesi historik i të bërit shtet, nuk do të ishte më e mira për Shqipërinë që duam, që partneriteti ynë qeverisës të ndërpritej, pavarësisht se ne do të shkojmë në këto zgjedhje më të vendosur se asnjëherë, për të marrë çdo votë të mundshme për Partinë Socialiste të Shqipërisë. Sepse këto reforma mund t’i bëjë vetëm Partia Socialiste, sepse Shqipërinë mund ta bëjë shtet vetëm Partia Socialiste, sepse qeverinë mund ta vërë në shërbim të shqiptareve vetëm Partia Socialiste. E patjetër që ne jemi të nderuar që kemi dhe aleatë, por çdo aleat duhet të jetë krenar dhe i nderuar që të jetë me ne, në këtë betejë për të bërë shtet”.

Në ndryshim nga socialistët, LSI-ja po mban një pozicion shumë më të moderuar ndaj protestës së opozitës, ndërsa po përsërit nevojën për dialog përballë rrezikut sipas saj të rrëshkitjes së vendit në drejtimin e gabuar. Duket se pikërisht ndaj saj ishte dhe mesazhi i kryeministrit kur foli për kërkesën e opozitës për qeveri teknike: “Asnjë merak për qeverinë teknike. Është guri i hedhur në lumin që ka marrë Partinë Demokratike. Kush shkon për ta nxjerrë atë gur, të bëjë kujdes se mund të mbytet në atë lumë”.

Në ndryshim nga LSI-ja sipas së cilës nuk mund të mendohen zgjedhje pa opozitën, kryeministri, ndërsa theksoi se nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve, përforcoi dhe një herë qëndrimin e bërë tanimë të ditur: “Nuk e kemi fare merakun se mund të mbetet vendi pa opozitë, nëse nuk vjen Saliu, bashkë më ata llafazanët e çetës së tij, në parlamentin e ri. Opozita është prodhim i lirisë, jo liria prodhim i opozitës. E përderisa jemi në liri, të jeni të bindur, opozita kurrë nuk do të mungojë. Edhe nëse PD-ja, bashkë me zotin Nardi, bashkë me zotin Vangjeli, nuk hyjnë në zgjedhje, të jeni të sigurtë se do ndryshojnë emrat, do ndryshojnë flamujt, por opozitën në parlament do ta shikoni”.

Por, po kaq e vendosur në pozicion e saj duket dhe opozita e cila nuk pranon të hyjë në zgjedhje ndërkohë që në krye të qeverisë është kryeministri Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG