Lidhje

FH: Demokracia në rënie në Evropën Qendrore dhe Lindore


Freedom House, Nations in transit

Organizata Freedom House me qendër në SHBA publikoi raportin e saj vjetor, ku thuhet se gjatë vitit 2016, arritjet në drejtim të demokracisë kanë pësuar rënie në më shumë se gjysmën e 29 vendeve të analizuara në Evropën Qendrore dhe Lindore, Ballkan dhe Euro-Azi. Kjo është rënia e dytë më e madhe në historinë 22-vjeçare të raportit që nxjerr organizata. Sipas saj, rënia është pasojë e rritjes së populizmit në rajon, ku disa udhëheqës po sulmojnë hapur demokracitë liberale.

Hungaria nën Kryeministrin Viktor Orban renditet tani në vendin më të ulët në Evropën Qendrore, sipas raportit të organizatës Freedom House. Nate Schenkkan komenton nga Nju Jorku:

"Kur flasim për populizmin në Evropën Qendrore, Orban qëndron në krye. Ai ka krijuar një model të refuzimit të demokracisë për vendet anëtare, madje edhe për Bashkimin Evropian."

Ashtu si në Hungari, ku të dielën pati demonstrata pro-demokracisë, edhe udhëheqësi i Polonisë kritikohet nga Freedom House për sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe për minimin e sistemit të kontrolleve dhe balancave të vendit.

Në klasifikim, Rusia renditet pranë fundit, edhe pse në raport pranohet se atje vazhdon të ekzistojë një shoqëri civile shumë e zhvilluar pavarësisht nga përpjekjet për ta shtypur atë, si dhe disa media të pavarura. Por një ish-zyrtar rus i Bankës Qendrore, Sergey Aleksashenko nuk është dakord:

"Mund të themi se ka disa liri për internetin, por 80 për qind e popullsisë ruse i merr lajmet nga televizioni dhe në Rusi nuk ka asnjë stacion televiziv që nuk është i kontrolluar nga qeveria. Mund të thoni se ka disa liri, sigurisht që ka, por kjo nuk është liri e informacionit dhe në vështrimin tim personal ky është një gjykim mjaft i gabuar për atë që po ndodh në Rusi.”

Në Ballkan, prirjet demokratike kanë rënë në katër vende, si Maqedonia dhe Serbia, ndërsa janë përmirësuar në dy të tjera, duke përfshirë Kosovën. Shqipëria qëndron e pandryshuar.

Në Euroazi, raporti e vë përsëri Kirgistanin në kategorinë e regjimeve autoritare të konsoliduara, ku ai mbetet që nga zgjedhjet e e vitit 2011.

Në raport thuhet se korrupsioni në Euroazi ka rënë në 5 nga 12 vende, por ka arritur nivele të reja të ulta në Azerbajxhan, Turkmenistan dhe Uzbekistan.

"Në Bjellorusi, ajo që pamë në vitin 2016 ishte një vazhdim i prirjes së një viti më parë. Ka një zbutje fare të vogël në kontrollin e fortë politik të regjimit të Lukashenkos."

Ndonëse raporti flet për disa përmirësime në Bjellorusi, kohët e fundit atje ka patur shtypje të demonstratave në rrugë, ku janë arrestuar qindra njerëz, disa prej të cilëve janë tërhequr zvarrë dhe janë rrahur nga policia.

Freedom House vë në pah Ukrainën, Rumaninë dhe Kosovën si pika pozitive në raportin e saj, si rrjedhojë e reformave graduale strukturore të kryera në këto vende.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG