Lidhje

SHBA, Nunes tërhiqet nga hetimet për Rusinë


Në SHBA, kongresmeni Devin Nunes tha se do të tërhiqet përkohësisht si kreu i Komisionit të Dhomës së Përfaqësueve për Zbulimin në hetimet për çështjen e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Ai tha se vendosi të tërhiqet pasi disa grupe aktivistësh të majtë kishin paraqitur ankesa pranë zyrës së Kongresit për Etikën. Zoti Nunes tha se tërheqja e tij do të hyjë në fuqi kur Komisioni i Etikës të shqyrtojë çështjen.

Zoti Nunes u bë objekt kritikash të ashpra për shkak se u takua fshehurazi me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për të parë dokumente sekrete që kishin lidhje me bashkëpunëtorë të zotit Trump.

Nunes tha në deklaratë se akuzat kundër tij janë të pabaza dhe të motivuara politikisht. Por ai shtoi se tërheqja është në interes të punës së Komisionit.

Zoti Nunes tha se do të vazhdojë përmbushjen e detyrave të tjera në Komision.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan u tha gazetarëve se Nunes nuk mund të drejtonte hetimet për Rusinë, pasi kritikat kundër kongresmenit po bëheshin pengesë për vazhdimin e punës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG