Lidhje

Ndryshim historik i rregullave të Senatit


Anëtarët republikanë të senatit amerikan shfuqizuan një regull që lejonte bllokimin e konfirmimit të të emëruarve të Gjykatës së Lartë, një lëvizje që mund të ketë pasoja për vite me radhë.

Me një votë 55 pro dhe 45 kundër, senatorët demokratë përdorën procedurën që kërkon 60 vota për të realizuar konfirmimin në Senatin me 100 vende.

Por vetëm disa momente më pas, republikanët përdorën të ashtuquajturën “alternativë bërthamore”, një ndryshim rregullash që bën të mundur miratimin e një kandidati të Gjykatës së Lartë me shumicë të thjeshtë, pavarësisht nga kundërshtimi i partisë së pakicës.

Rregulli u shfuqizua me 52 vota pro dhe 48 kundër, i njëjti raport me të cilin republikanët kontrollojnë Senatin. Kjo i jep mundësi Senatit që të konfirmojë deri nesër kandidatin e Gjykatës së Lartë, Neil Gorsuch të propozuar nga Presidenti Donald Trump.

“Alternativa bërthamore” konsiderohet si një thyerje e traditës në Senat.

Udhëheqësi i Demokratëve në Senat, Charles Schumer paralajmëroi republikanët për ndryshimin e rregullit.

"Pas 20, 30 ose 40 vjetësh, ne do ta shohim ditën e sotme si një pike kthese në historinë e Senatit dhe Gjykatës së Lartë, një ditë kur ne u distancuam në nënyrë të pakthyeshme nga parimet e themeluesve të vendit për institucionet, parimet e konsensusit dhe moderimit”, tha ai.

Para ndryshimit, senatori republikan John McCain, tha se “Kam frikë se një ditë do të pendohemi për atë që jemi gati të bëjmë tani”, tha senatori McCain

Kur demokratët kishin shumicën në Senat në vitin 2013, ata i ndryshuan rregullat e votimit duke eleminuar procedurën e bllokimit për kandidatët për degën ekzekutive dhe për emërimet në sistemin e drejtësisë, me përjashtim të Gjykatës së Lartë. Demokratët thonë se ka dallim mes veprimit të tyre dhe asaj që po premtojnë të bëjnë republikanët.

“Anëtarët e kabinetit shkojnë e vijnë. Anëtarët e Gjykatës së Lartë mbeten,” tha senatori demokrat Brian Schatz nga Havai. “Kabineti i kësaj administrate është si një takim dashurie, takim i keq dashurie, por të paktën do t’i vijë fundi. Një gjykatës i Gjykatës së Lartë nga ana tjetër është i përhershëm. Është si martesa. Një emërim i përjetshëm”.

“Pa këtë procedure bllokimi në se je anëtar i partisë në pakicë, të emëruarit e presidentit nuk kanë përse të të dëgjojnë, përse të takohen me ty, apo të kenë parasysh mendimet e tua (të senatorëve të pakicës). Pa këtë rregull, këshilla dhe konsensusi është i pakuptimtë për secilën parti që nuk është në pushtet,” shton zoti Schatz.

Në vitin 2005, senatori McCain ishte pjesë e një grupi dypartiak senatorësh, që punuan për të shmangur procedurën e bllokimit të votimit, ‘filibuster’, për kandidatët e sistemit të drejtësisë të emëruar nga presidenti i atëhershëm George W. Bush. Grupi ia doli me sukses dhe opsioni bërthamor (ndryshmi i rregullave të votimit në Senat) u shmang. Duke folur në Senat të mërkurën, zoti McCain shprehu keqardhje që asnjë përpjekje e tillë nuk u bë këtë javë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG