Lidhje

Komisioni për Rivlerësimin, shumica zgjedh 3 anëtarët e saj


Në Shqipëri parlamenti u mblodh në mbrëmje në një seancë të veçantë për të votuar anëtarët e Komisionit të posaçëm i cili do të duhet të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve që do të jenë në përbërje të strukturave për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Seanca e sotme ishte thjesht një formalitet, ku u miratuan vetëm emrat e anëtarëve të shumicës, dy nga Partia socialiste, Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja, dhe një nga Lëvizja socialiste për Integrim, deputeti Luan Rama. Ata u zgjodhën përmes një procesi votimi, duke qenë se edhe grupi parlamentar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kishte kërkuar të përfaqësohej në këtë komision më kryetarin e partisë së tyre Shpëtim Idrizi. Mos zgjedhja e tij shkaktoi zemërimin e përfaqësuesve të PDIU-s të cilët akuzuan socialistët se pasi kanë lënë jashtë opozitën po përjashtojnë dhe aleatët e tyre.

Tre anëtarët e tjerë të Komisionit i përkasin opozitës e cila prej disa javësh ka bojkotuar parlamentin, paralelisht me protestën për të kërkuar një qeveri teknike e cila të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor. Për pasojë, funksionimi i Komisionit të posaçëm bëhet i pamundur, dhe i gjithë procesi i rivlerësimit mbetet i bllokuar. Pa ecur më tej me këtë fazë, edhe zbatimi i mëtejshëm i Reformës në Drejtësi kalon në ngërç, pasi nuk mund të ngrihen as institucionet e reja të parashikuara prej saj.

Javën e shkuar parlamentit ju dorëzuan kandidaturat për anëtarë të strukturave që duhet të realizojnë procesin e rivlerësimit, pasi kaluan edhe kontrollin nga Misioni ndërkombëtar i monitorimit, organizmi i drejtuar nga përfaqësuesit e Komisionit europian, i cili do të asistojë të gjithë fazën e verifikimit edhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nga të 84 kandidaturat e përzgjedhura nga Avokati i Popullit që përmbushnin kriteret formale, Misioni ndërkombëtar vlerësoi pozitivisht 67 prej tyre, duke i konsideruar të përshtatshëm për të qenë një listën përfundimtare që do të duhet t’i nënshtrohet gjykimit të komisionit të posaçëm të parlamentit. Për 17 të tjerat ka dhënë një rekomandim negativ.

Institucionet e rivlerësimit përbëhen nga një Komision, nga Kolegji i Apelit dhe nga dy Komisionerët publikë dhe zëvendësat e tyre. Gjithsej bëhet fjalë për 27 anëtarë të këtyre strukturave.

Ligji për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve ka qenë ndër më të debatuarit. Ai u kundërshtua me forcë nga opozita e cila bëri ankimim dhe në Gjykatën kushtetuese. Çështja shkoi dhe në Komisionin e Venecias, i cili solli një vlerësim pozitiv, e më pas dhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimet e opozitës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG