Lidhje

Gabriel: Jo bojkotit, opozita të hyjë në zgjedhje


Në Tiranë, ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel foli sot me tone kritike lidhur me situatën politike të krijuar në Shqipëri si pasojë e protestës së opozitës. Ai e cilësoi të papranueshëm bojkotin e parlamentit si dhe kërkesën e opozitës për një qeveri teknike, ndërsa u shpreh i shqetësuar për pengimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Pas takimit me zotin Gabriel, drejtuesi i opozitës Lulzim Basha përsëriti se pa një qeveri teknike në Shqiëpri nuk do të mund të ketë zgjedhje.

Gabriel kunder bojkotit te opozites
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:58 0:00

Kriza politike në Shqipëri, zuri vendin kryesor në deklaratat që ministri i Jashtëm gjerman bëri sot në Tiranë. Ai u ndal në të gjitha aspektet e kësaj krize, që nga bojkotimi i parlamentit, ngecja e Reformës në Drejtësi, mosrregjistrimi i opozitës në zgjedhje dhe kërkesa e saj për qeveri teknike.

Shefi i diplomacisë gjermane i mëshoi rëndësisë së zbatimit të Reformës në Drejtësi, e cila u miratua në unanimitet nga parlamenti, korrikun e shkuar, dhe pasojat që ka sjellë bojkoti i opozitës. “Tani për fat të keq, me shqetësim të madh dhe pa e kuptuar mjaft mirë shikojmë e konstatojmë se Reforma e Drejtësisë është duke u penguar. Askush në Europë nuk e kupton si duhet, faktin që parlamentarët e zgjedhur bojkotojnë parlamentin. Në vendin tim dhe në Europë kjo është diçka absurde, që deputetët e zgjedhur, refuzojnë të bëjnë punën e tyre në parlament. Dhe në vend të kësaj, ata mblidhen në çadër duke realizuar një opozitë përkundrejt parlamentit, anëtarë të së cilit ata vetë janë. Kjo është një rrethanë që nuk mundemi dhe nuk duhet ta pranojnë”, u shpreh ministri gjerman.

Sipas tij, “ajo çka është e paimgjanueshme, është që një pakicë nuk përpiqet të ndryshojë gjendjen përmes zgjedhjeve por përmes bojkotit të parlamentit”, ndërsa shtoi se “kësisoj lind dhe përshtypja se ka një farë frike lidhur me zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe që në të ardhmen nuk do të mundin të ndjekin interesat e tyre, sic mund të ketë qenë rasti në të shkuarën”.

Ministri Gabriel theksoi se vonesa në zbatimin e Reformës, do të jetë me pasoja për ecurinë Shqipërisë në rrugën e Integrimit europian: “Ka paragjykime përkundrejt Shqipërisë. Dhe ajo çka pakica po bën, konfirmon në një farë mënyrë paragjykimet e shumë njerëzve përkundrejt Shqipërisë. Kush bojkoton parlamentit për të penguar Reformën në Drejtësi, i bën dëm vendin dhe reputacionit të Shqipërisë”.

Duke folur për çështjen e zgjedhjeve, ministri Gabriel theksoi se “rasti më normal do të ishte që nëse deputetët, që nuk janë të kënaqur me atë çka realizon qeveria, ta anatemojnë këtë gjatë fushatës elektorale. Ndaj për ne është mjaft e rëndësishme që mbi bazën e Kushtetës dhe ligjeve të vlefshme, të zbatohet Reforma dhe së dyti apelojmë si qeverinë dhe parlamentin të punojnë mbi bazën e kushtetutës dhe ligjeve për zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Askush nuk e kupton se si, pak para zjedhjeve, kërkohet dorëheqja e një qeverie dhe vendosja e një qeveri teknike, që në një farë mënyre do të thotë shpërbërja e qeverisë aktuale. Sigurisht, opozita nuk e dëshiron këtë qeveri në pushtet dhe është normale, por në këtë pikë është e pakuptueshme”, nënvizoi ai.

Këto qëndrime ai përsëriti dhe pas takimit me kryeministrin Edi Rama ndërsa theksoi disa herë se ato përfaqësojnë qëndrimet e qeverisë gjermane dhe kancelares Angela Merkel, duke njoftuar se mesazhet e tij do t’ja përcillet dhe opozitës.

Ministri Gjerman u takua më pas me kreun e saj, Lulzim Bashën. Një takim që zgjati përtej parashikimit. Në fund të tij zoti Basha rikonfirmoi të njejtin pozicion: “Zgjedhje pa qeveri teknike, që të garantojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, duke zbatuar ligjin e Dekriminalizimit, duke i nxjerrë kriminelët nga parlamenti, nga bashkitë, nga institucionet e vendit, zgjedhje pa luftuar drogën dhe paratë e drogës, dhe krimin, zgjedhje pa reformë zgjedhore dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, pra zgjedhje fasadë të diktuar nga krimi, nuk ka për të patur sepse këto do të conin në situatë eksplozive drejt destabilizimit total. Jemi të hapur dhe të vendosur të bashkëpunojmë me të gjitha forcat e përgjegjshme politike për zgjedhje të lira e të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike”.​

I pyetur rreth deklaratave të ministrit gjerman zoti Basha la të kuptohej se, sipas tij, ai kishte patur një informacion të njëanshëm kur tha se gjatë bisedës me të kishte çmontuar të gjthë propagandën dhe gënjeshtrat e kryeministrit Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG