Prokurorët e Koresë së Jugut kanë paditur zyrtarisht presidenten Park Geun-hye me akuzën për rryshfet, pjesë e një skandali të bujshëm për korrupsion që ka përfshirë vendin. Akuza u ngrit sot nga zyra e prokurorisë, e cila e dërgoi çështjen në një gjykatë penale.
Zonja Park, presidentja e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike që shkarkohet nga detyra, u arrestua muajin e kaluar pasi një gjykatë në Korenë e Jugut miratoi një urdhër arresti të prokurorit për akuzat e rryshfetit dhe abuzimit me pushtetin.
Akuzat penale kundër zonjës Park janë të lidhura me skandalin politik që e largoi atë nga detyra, ku pretendohet se në bashkëpunim me një shoqen e saj të ngushtë, kanë detyruar disa kompani t’u dhurojnë më shumë se 69 milionë dollarë dy fondacioneve me pronësi të dyshimtë.
Për muaj të tërë, shkarkimi i zonjës Park krijoi ndarje tek publiku i Koresë së Jugut. Kundërshtarët e saj mbajtën mitingje masive për të kërkuar shkarkimin apo dorëheqjen ndërsa mbështetësit u përpoqën ta mbajnë atë në detyrë. Dy mbështetës të zonjës Park u vranë në përleshjet me policinë jashtë gjykatës, në ditën që u morr vendimi për shkarkimin e saj.
Nëse dënohet, zonja Park mund të dënohet me më shumë se 10 vjet burg për marrje rrushfeti nga bosët e kompanive të mëdha, përfshirë dhe shefin e Grupit Samsung Jay Y. Lee. Ky i fundit dhe Choi bashkëpunëtorja e ngushtë e ish-presidentes ndodhen në paraburgim dhe ndaj tyre do të zhvillohet gjykim i veçantë.
Facebook Forum