Lidhje

Venezuelë: Përplasje të reja mes policisë dhe protestuesve


Në Venezuelë, policia përdori sërisht gaz lotsjellës për të shpërndarë demostruesit antiqeveritarë që mbushën rrugët e kryeqytetit Karakas. Që prej nisjes së demostratave që po përshkallëzohen në të gjithë vendin, numri i të vrarëve ka shkuar në tetë persona. Presidenti Maduro mblodhi mbështetësit e tij në një antimiting, në përpjekje për të shuar frymën e protestave opozitare dhe garantuar një fitore të ardhshme zgjedhore. Shtetet e Bashkuara u shprehën të shqetësuar lidhur me situatën në Venezuelë. Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se qeveria e presidentit Maduro po shkel kushtetutën dhe nuk po lejon të dëgjohen zërat opozitarë.

Mijëra vetë u derdhën dje në rrugët kryesore të kryeqytetit të Venezuelës Karakas, në dy demostrata kundërshtare, njëra në mbështetje të presidentit Nikolas Maduro dhe politikat e tij socialiste dhe tjetra kundër.

Dy persona u vranë me armë zjarri gjatë përlasjes së forcave të sigurisë me protestuesit antiqeveritarë anembanë vendit. Kjo e çon në tetë numrin e personave të vrarë në pothuajse tre javë protesta që po zgjerohen.

"Ata përdorin gazin lotsjellës, hapin zjarr, po na heqin të drejtat tona, por s’mund të jetë kështu. Duam të marshojmë sepse jemi të uritur, ndërsa ata ndjehen të fortë dhe të qetë", thotë Diana Cueller, një protestuese antiqeveritare.

Në protestat e djeshme u njoftua dhe vrasja e një ushtari të Gardës Kombëtare. Presidenti Maduro mblodhi mijëra përkrahës të tij në një antimiting.

"Dua të fitoj këtë betejë dhe dua që njerëzit të përgatiten për t’a fituar atë në paqe dhe me vota. Dua që ne të përgatitemi për një fitore të plotë dhe të hershme zgjedhore", tha Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro.

Uashingtoni shprehu shqetësimin se qeveria e Venezuelës po punon për të shtypur opozitën.

"Jemi të shqetësuar se qeveria e presidentit Maduro po shkel kushtetutën e vendit të vet dhe nuk lejon të dëgjohet zëri i opozitës, apo nuk po i lejojnë ata të organizohen për të shprehur pikëpamjet e popullit venezuelian. Po, ne jemi të shqetësuar për situatën atje. Po e ndjekim me vëmendje dhe po punojmë me të tjerët, në përgjithësi nëpërmjet Organizatës së Shteteve Amerikane për t'u komunikuar shqetësimet tona”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson.

Demonstratat shpërthyen pasi Gjykata e Lartë e Venezuelës njoftoi muajin e kaluar se do t’i hiqte parlamentit që kontrollohet prej opozitës, fuqitë legjislative. Por pas protestave dhe një valë reagimesh ndërkombëtare që e panë këtë si një përpjekje për kapje të pushtetit, gjykata ndryshoi qëndrim. Anëtarët e gjykatës së Lartë të Venezuelës janë emëruar nga presidenti Maduro dhe paraardhësi i tij Hugo Chavez.

Venezuela po përballet vitet e fundit me vështirësi në rritje ekonomike, veçanërisht pasi çmimi i naftës, produkti kryesor për eksport, filloi të bjerë në 2014. Dikur vendi më i pasur i Amerikës Latine, sot shtetasit e saj përballen me mungesa kronike, të artikujve jetikë si ushqimi dhe ilaçet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG