Lidhje

Irani mund të shndërrohet në një kërcënim global


Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson tha se Irani është një kërcënim për rajonin. Ai shtoi se nëse lihet i pakontrolluar, Irani mund ta përhapë efektin e tij të dëmshëm në mbarë botën.

Administrata e presidentit Trump tha se po rishikon tërësisht politikën amerikane ndaj Iranit, për shkak të rrezikshmërisë që paraqet ky vend për sigurinë globale. Paralajmërimin e bëri Sekretari i Shtetit Tillerson.

“Irani është shteti kryesor që sponsorizon terrorizmin në botë dhe qëndron prapa nxitjes së konflikteve të shumta dhe dëmtimit të interesave amerikane në vende si Siria, Jemeni, Iraku dhe Libani, ndërsa vazhdon të mbështesë sulmet kundër Izraelit.”

Sekretari Tillerson tha se nëse lihen jashtë kontrollit, ambiciet bërthamore të Iranit mund të bëhen po aq të rrezikshme për botën, ashtu si Korea e Veriut.

“Me provën e fundit të një rakete balistike me rreze të mesme, zhvillimin e vazhdueshëm dhe përhapjen e teknologjisë së raketave, Irani shkel rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit.”

Teherani nënshkroi në vitin 2015 një marrëveshje me SHBA-në dhe pesë vende të tjera për të ndërperë programin e tij bërthamor në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Presidenti Donald Trump e ka quajtur këtë marrëveshje “marrëveshjen më të keqe të negociuar ndonjëherë”.

Sekretari Tillerson tha se marrëveshja nuk ka eliminuar rrezikun bërthamor nga Irani.

“Është një shembull i keq se si nuk zgjidhet problemi i një fuqie që ka ambicie bërthamore, ble bashkëpunimin për një periudhë të shkurtër, por problemi mbetet për të ardhmen

Sekretari Tillerson tha se marrëveshja neglizhon plotësisht rreziqet e tjera të Teheranit për rajonin dhe botën.

Kryediplomati amerikan tha se administrata do të shqyrtojë rreziqet e mundshme nga Irani në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe do të hartojë sstategjinë përkatëse për t’i eliminuar ato. Ai nuk tregoi se çfarë masash do të merreshin.

Disa ligjvënës amerikanë kanë kritikuar heqjen e sanksioneve kundër Iranit. Por, analistët thonë se nëse SHBA-ja i rikthen ato, kjo do të përbënte shkelje të marrëveshjes ndërkombëtare me Iranin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG