Lidhje

Le Pen, Macron në balotazh për postin e presidentit


Politikani i qendrës Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen e Frontit Popullor të ekstremit të djathtë do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze.

Ministria e Brendshme tha se janë numëruar pothuajse të gjitha votat dhe sipas të dhënave. Emmanuel Macron ka fituar 23.9 për qind të votave ndërsa Marine Le Pen, radhitet pas tij me 21.4 për qind.

Më pas radhiten politikani konservator Francois Fillon me 19.96 për qind dhe kandidati i ekstremit të majtë, Jean-Luc Melenchon me 19.49 për qind.

Për herë të parë në historinë moderne të Francës nuk kryeson asnjë kandidat i partive kryesore në balotazh, duke tronditur sistemin politik të vendit.

Emmanuel Macron, ish ministri i ekonomisë është një pro evropian dhe mbështetës i bizneseve, me lidhje të ngushta me socialistët jo shumë popullor të presidentit Francois Hollande. Mbështetja e tij është e përqendruar kryesisht në zonat e përparuara urbane ku globalizmi ishte i dobishëm për shumëkënd.

Marine Le Pen, e cila pritej nga anketat të dilte e dyta në këto votime, synon t'i japë fund migracionit në Francë, posaçërisht nga vendet myslimane. Ajo dëshiron që Franca të largohet nga Bashkimi Evropian. Përkrahja për të është përqendruar në ish zonat industriale në Francë ku papunësia është e lartë sikurse edhe zhgënjimi me ekonominë bashkëkohore dhe rendin social.

Zgjedhjet u zhvilluan nën masa të forta sigurie pas sulmit në Paris vetëm disa ditë para votimeve.

Mbi 50 mijë policë të mbështetur nga 7 mijë ushtarë, përfshirë edhe forcat e posaçme janë vendosur nëpër rrugë pas sulmit që u mor përsipër nga grupi militant Shteti Islamik. Të shtënat e së enjtes në sheshin Champs-Elysees në zemër të Parisit, lanë pas vetes një polic të vrarë dhe disa persona të plagosur.

Analistët dhe votuesit e intervistuar i vlerësuan që më parë këto zgjedhje si më të paparashikueshmet që nga Lufta e Dytë Botërore.

Zemërimi me klasën politike, është ndjenja që nxit votuesit në zgjedhjet në të cilat siguria, ekonomia e ngecur e Francës, norma e papunësisë prej 10 për qind dhe ekstremizmi islamik janë çështjet kryesore në mendjet e atyre në të majtë dhe në të djathtë.

Kjo, thonë analistët, është nxitje për një numër të madh banorësh të Parisit, përfshirë edhe një pjesë të shtresës së mesme dhe asaj të lartë, që të votojnë për kandidatët e skajshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG