Lidhje

Vazhdojnë protestat anti-qeveritare në Venezuelë


Opponents of President Nicolas Maduro march in Caracas, Venezuela, April 20, 2017.
Opponents of President Nicolas Maduro march in Caracas, Venezuela, April 20, 2017.

Pavarësisht pranisë së madhe të policisë dhe ushtrisë, qindra mijëra njerëz në Venezuelë po protestojnë nëpër qytetet e mëdha të vendit kundër qeverisë së Presidentit Nicolás Maduro. Përleshjet e dhunshme mes forcave të sigurisë dhe protestuesve kanë lënë dhjetëra të plagosur, rreth 270 të arrestuar dhe të paktën 12 të vdekur. Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro të dielën kërkoi organizimin e zgjedhjeve lokale, por kundërshtoi organizimin e zgjedhjeve të hershme presidenciale, që është kërkesa kryesore e miliona protestuesve.

Kriza politike dhe protestat në Venezuelë po vazhdojnë. Opozita këmbëngul në mbajtjen e zgjedhjeve, lirimin e të burgosurve politikë, hapjen e kanaleve për ndihma humanitare, ushqimore, mjekësore dhe respektimin e Asamblesë Kombëtare. Gjatë një marshimi në heshtje, të mbajtur për nder të atyre që humbën jetën gjatë protestave, kreu i opozitës Henrique Capriles theksoi se opozita duhet të vazhdojë të protestojë në mënyrë paqësore për të bërë ndryshimet e nevojshme.

"Nëse vazhdojmë këtë rrugë dhe veprojmë në unitet në përpjekjen për të arritur atë që duhet ta arrijmë, vetëm një gjë na pret, fitorja dhe ndryshimi për Venezuelën".

Presidenti Nicolás Maduro i kërkoi opozitës të ndalë veprimet e saj, ndërkohë që i bëri thirrje pasuesve të tij që të mbrojnë të ashtuquajturin “Revolucion Bolivar”, një lëvizje socialiste e udhëhequr nga ish presidenti Hugo Chavez.

"U bëj thirrje njerëzve të ruajnë qetësinë, të jenë vigjilentë në rrugë, të mbështesin forcat e sigurisë dhe rendin publik, të mbështesin gardën dhe policinë kombëtare kudo që ata janë të pranishëm."

Kreu i shtetit akuzoi opozitën se po bën thirrje për sulme ndaj qeverisë dhe dhunë në vendin e tij.

"Ata janë përgjegjës për të gjithë dhunën, të gjithë të vdekurit, të gjitha dëmet."

Ndërsa ligjvënësi i opozitës, José Guerra, u kërkoi forcave të armatosura kombëtare të kontrollojnë grupet e armatosura civile.

"Me këto veprime ata po krijojnë një fushatë të papërgjegjshmërisë në Venezuelë, grupet paraushtarake kanë lidhje me disa nga vrasjet".

Të dielën, Presidenti Maduro tha se ishte dakord për organizimin e zgjedhjeve lokale, por kundërshtoi zgjedhjet e hershme presidenciale, për të cilat kombëngulin protestuesit. Nuk ka shenja për një zgjidhje të krizës, ndërkohë që opozita vazhdon me protestat, në të cilat po bëhet thirrje për dorëheqjen e Presidentit Maduro.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG