Lidhje

Mes tensioneve me Uashingtonin, Pheniani arreston amerikanin e tretë


Koreja e Veriut ka ndaluar një shtetas amerikan, personi i tretë që mbahet nga vendi komunist, nën akuzat, siç thuhet për krime kundër shtetit. 50 vjeçari, profesor universiteti, u arrestua të shtunën në aeroportin e Phenianit ndërsa po largohej nga Koreja e Veriut. Arrestimi i tij vjen mes tensioneve të larta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut lidhur me programin bërthamor të këtij vendi.

Shtetasi amerikan i arrestuar të shtunën në Korenë e Veriut është Tony Kim, i njohur me emrin korean si Kim Sang-duk. Pheniani nuk e ka njoftuar arrestimin e tij dhe nuk është e qartë se për çfarë akuzohet. Dy amerikanët e tjerë u arrestuan dhe gjetën fajtorë vitin e kaluar për krime kundër shtetit. Njëri u dënua 10 vjet dhe tjetri me 15 vjet punë të detyruar.

Arrestimi i tretë vjen mes tensioneve të larta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut pas provës së Phenianit me raketë balistike.

Gjatë turneut në Azinë Juglindore, nënpresidenti amerikan Mike Pence paralajmëroi vazhdimisht se “durimi strategjik” me Korenë e Veriut ka marrë fund.

“Armët bërthamore në duart e regjimit të Phenianit që ka edhe një program raketash balistike, si dhe synon të prodhojë raketa ndërkontinentale, përbëjnë kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe mund të përbëjnë rrezik edhe për Shtetet e Bashkuara.”

Presidenti Donald Trump ka shprehur besimin se Kina mund të ushtrojë presion ndaj vendit fqinj për ta detyruar Phenianin të resspektojë ligjet ndërkombëtare.

Kryeministri i Australisë shprehu pikpamje të ngjashme në takimin me zotin Pence të shtunën.

“Është e qartë se Kina ka mundësinë, dhe do të thoja përgjegjësinë për të ushtruar trysni që ta detyrojë Korenë e Veriut të ndalojë këtë rrugë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme që po ndjek.”

Por kryediplomati kinez, tha të dielën gjatë një vizite në Greqi se, vendi i tij nuk ka çelësin e zgjidhjes së problemeve në Gadishullin Korean.

“Duke qënë e përgjegjshme për paqen dhe stabilitetin në gadishull, Kina gjithmonë bën përpjekje për të rifilluar bisedimet e paqes mes palëve, dhe së fundmi kemi bërë propozime të drejta dhe konstruktive që kanë gjetur mirëkuptim dhe mbështetje.”

Flota detare amerikane, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja Carl Vinson, po shkon drejt ujrave koreane dhe pritet të arrijë në gadishull nga fundi i javës.

Koreja e Veriut tha të dielën se është e gatëshme të fundosë aeroplanmbajtësen amerikane me një goditje për të demostruar forcën e saj ushtarake.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG